Kjo është gjendja shëndetësore e të plagosurave në Fushë-Kosovë, njëra do t’i nënshtrohet operimit
Nënë e bijë njëra 64 e tjetra 44 vjeçare kanë mbetur të plagosura si pasojë e shkrepjes së armës në orët e para të pasdites të së shtunës në rrugën ‘Besa Besë’ në Fushë Kosovë.
Si pasojë e shkrepjes së armës viktimat kanë pësuar lëndime jo të lehta trupore.
Në gjendje më të rëndë sipas mjekëve të QKUK-së është gruaja 64-vjeçare. Ajo pas pak minutave pritet që t’i nënshtrohet një operimi.
Detaje për gjendjen e tyre shëndetësore ka dhënë për Nacionalen mjeku i Klinikës Emergjente në QKUK Ejup Govori.
“Bëhet fjalë për du të plagosura, paciente të gjinisë femërore viti i lindjes 1959 dhe 1979. Relacioni është nënë dhe bijë. Gjendja e tyre është stabile. Gruaja më e moshuar ka lëndime më serioze në bark dhe ekstremitetet e mëposhtme. Ajo do t'i nënshtrohet një operacioni. Si nga ana e kirurgut abdominal edhe ortopedi. Në anën e djathtë ka një frakturë të ekstremitetit të poshtëm,”- i tha doktori Nacionales.
E të plagosurat për mjekët kanë deklaruar se ato janë plagosur nga një person i njohur për to.
Megjithëkëtë pacienta 44 vjeçare ka dy plagë në dy duart e saja.
“Pacientja tjetër 1979 viti i lindjes, plagët i ka në ekstremitetet e sipërme. Ka dy plagë në dy duart. Për momentin është stabile. Është ba imazheria dhe pritet të kryhet konsulta nga ortopedi dhe kirurgu vaskular,”- ka thënë Govori.
Policia për Nacionalen kanë konfirmuar rastin. Nga PK kanë thënë se të plagosurat janë dërguar për tretman mjekësor.
“Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Sipas saj, rasti ka ndodhur në orën 11;45 ku edhe mënjëherë pas marrjës së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet tutje në përgjigjien e policisë.