Kina shënoi bilanc rekord tregtar më 2022, iu rrit eksporti
Bilanci pozitiv tregtar i Kinës shkoi në nivel rekord prej 877,6 miliardë dollarësh vitin e kaluar, pasi eksportet u rritën pavarësisht nga dobësimi i kërkesës nga ShBA-ja dhe Evropa dhe nga masat për kontrollimin e përhapjes së koronavirusit, me ç’rast ishin izoluar Shangai dhe disa qendra të tjera industriale.
Eksportet e Kinës u rritën për 7 për qind në krahasim me vitin 2021 dhe e arritën vlerën e 3,95 trilionë dollarëve. Sidoqoftë, rritja ishte më e vogël se numri prej 29,9 për qind më 2021, sipas të dhënave të publikuara të premten nga autoritetet doganore.
Edhe importet në Kinë shënuan rritje prej 1,1 për qind dhe e arritën vlerën e 2,7 trilionë dollarëve, por më pak se rritja prej 30,1 për qind vitin e kaluar, pasi rritja ekonomike u ngadalësua dhe shpenzimet e konsumatorëve u dobësuan, raporton agjencia “Associated Press”.
“Tregtia e jashtme dhe eksportet e Kinës treguan qëndrueshmërie të fuqishme përballë shumë vështirësive e sfidave”- tha në një konferencë për gazetarë zëdhënësi i agjencisë së doganave, Lu Daliang.
Megjithatë, eksporti në dhjetor shënoi rënie për të tretin muaj radhazi, duke u zvogëluar për 10,1 për qind në krahasim me vitin paraprak. Në nëntor, rënia e eksportit qe në vlerën prej 9 për qind.
Eksportet e Kinës për në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar shënuan rritje për 1 për qind dhe e arritën vlerën e 581,8 miliardë dollarë pavarësisht nga rritja e taksave nga ish-presidenti Donald Trump, të cilat ende janë në fuqi për shumë mallra. Në anën tjetër, importet e Kinës nga ShBA-ja shënuan rënie për 1 për qind dhe ishin në vlerën e 177,6 miliardë dollarëve.
Analistët presin që rritja e eksporteve të Kinës të dobësohet edhe më tutje përderisa mundësia për recesion në ekonomitë perëndimore rritet. Disa presin që eksportet e këtij viti të tkurren.
Eksportet e Kinës për në vendet e Bashkimit Evropian ranë për 39,5 për qind, ndërsa importet nga BE-ja u zvogëluan për 31,3 për qind. Kështu, bilanci pozitiv tregtar i Kinës me Bashkimin Evropian ra për hiç më pak se 50 për qind.
