Kimi i Shkupit: VLEN-i më mirë mos të ishte në qeveri
Shkrimtari dhe analisti nga Shkupi, Kim Mehmeti ka vlerësuar se ka garë mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit për ndikim te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Në një bashkëbisedim në ‘Nazarko Podcast’, të transmetuar në RTSh, ai ka thënë se kryeministri i Shqipërisë e ka favorit BDI-në, kurse ai i Kosovës VLEN-in.
“Tash mu këtu fillon konkurrenca se kush do t’i mbajë nën kontroll shqiptarët”, ka thënë Mehmeti.
“Kurrkush nga ta nuk interesohet për shqiptarët, të gjithë vetëm për elitat e zhveshura partiake.”
Mehmeti sërish ka përsëritur qëndrimin e tij kritik për VLEN-in, që gëzon përkrahjen e kryeministrit në detyrë në Kosovë.
“VLEN-i nuk vlen asgjë për ne shqiptarët”, ka thënë ai.
Sipas analistit nga Shkupi, VMRO-së shpesh i hyhet në hak me kritika, por çështja është se çfarë do të bëjë ajo me pesë shqiptarë të VLEN-it që nuk merren vesh me njëri-tjetrin.
“Këta të fundit vetëm arsyetohen në publik se BDI-ja e ka bërë këtë ose atë. Nuk mund të rrish në pushtet vetëm duke u arsyetuar se VMRO-ja nuk e lejon këtë ose atë”, ka vijuar më tej Mehmeti.
“Atëherë pse merr pjesë në qeveri? Ka situata kur më mirë është të mos jemi pjesë e qeverisë sesa të jemi pjesë e saj.”/NACIONALE/