Kidnapimi i tre policëve, fillon mbledhja e Këshillit të Sigurisë të Kosovës
Ka filluar mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, pas situatës së krijuar nga kidnapimi i tre policëve të Kosovës nga ana e Policisë së Serbisë si dhe situatës së fundit të krijuar në veri të vendit. Kjo ngjarje ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Pas përfundimit të mbledhjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla do të mbajën konferencë për media.
Siç njofton Zyra e Kryeministri, konferenca do të mbahet me fillim nga ora 08:30.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga policia e Serbisë, duke i kërkuar faktorit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt.
Kurti ka thënë policët “u rrëmbyen” në vendin ku kishte një rrugë ilegale, që ndodhet 300 metra brenda territorit të Kosovës.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq - Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës.” – tha ai.
Ai ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që ta “dënojë këtë akt agresioni të Serbisë”.
Ndërkohë, rastin e kanë dënuar edhe udhëheqësit e tjerë të vendit, presidentja, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e liderët e partive opozitare.
Në anën tjetër KFOR-i ka thënë se është në kontakt me autoritet serbe për këtë rast.
“KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme sa i përket pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacione zyrtare për atë që ka ndodhur.” - thuhet në përgjigje.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian, ka thënë se është në kontakt me dy shetet dhe KFOR-in për të kuptuar se çfarë ka ndodhur saktësisht.
"Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht.” – deklaroi ai.
Në anë tjetër pala serbe ka thënë se policët e Kosovës kanë qenë matën kufirit.
Çka ndodhi?
Të mërkurën, xhandarmëria serbe, dyshohet se kidnapo tre zyrtarë policorë në pikën kufitare me Serbinë në veri të vendit.
Sipas Policisë së Kosovës, xhandarmëria serbe është futur 300 metra në territorin e Kosovës.
“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.” – është thënë në komunikatën e policisë.
Mbetet të shihet se çka do të vendosët në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë dhe ndërkohë duhet të kujtojmë që Qeveria e Kosovës ka ndaluar importet nga Serbia si dhe ka ndaluar të gjitha automjetet me targa serbe të futën në Kosovë.




