Policia e Kosovës: Policët kanë pasur të drejtën të përdorin çdo mjet në vetëmbrojtje, por ky ishte kidnapim
Policia e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media pas dyshimeve se tre zyrtarë policorë kosovarë janë kidnapuar nga Policia e Serbisë, brenda territorit të shtetit tonë. Si duhej të vepronin në këtë rast këta zyrtarë?
Kjo në fakt, ishte njëra prej pyetjeve që iu bë zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka thënë se ndonjëherë “situata edhe forma e rastit të dirigjon ndryshe”.
Megjithatë, ai e ka bërë të qartë se në raste të tjera, zyrtarët kanë të drejtë të përdorin çdo mjet të mundshëm, por ky ka qenë një “kidnapim klasik”.
“Çdo zyrtar policor i di detyrat e veta se si duhet të veprojë, edhe me ligj, edhe me procedurë. Nganjëherë situata dhe forma e rastit të dirigjon ndryshe. Në këtë rast, duke parë që ka qenë një veprim i organizuar për një kidnapim klasik, ka ndodhë ky rast. Në raste të tjera, zyrtarët në vetëmbrojtje kanë të drejtën të përdorin çdo mjet të mundshëm, mirëpo ka ndodhë kidnapim klasik i organizuar.” – u shpreh ai.
Kelani nga gazetarët u pyet edhe se si arritën policia serbe të hynë në territorin e Kosovës.
Ai ka thënë se ka pasur informacione në baza ditore, se xhandarmëria serbe është ekspozuar shpesh në vijën kufitare të Kosovës.
“Sa i përket çështjes, kemi pasë informacione, por ju e dini që informacione të kësaj natyre ka pasë të shfaqura në baza ditore, qoftë edhe prej xhandarmërisë serbë që kanë dalë shpesh janë ekspozuar shpesh në vijën kufitare, përfshrië helikopterë e mjete të ndryshme që Serbia ka përdorë në afërsi të territorit të Kosovës, të gjitha këto informacione janë shkëmby dhe janë nda me partnerë tanë si KFOR-i.” – tha ai.