Kica-Xhelili për kidnapimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës: Sot dështoj sundimi i ligjit edhe koordinimi
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës, ku ka thënë se politika e fëlliqur serbe nuk kapërdihet dhe e tillë ka qenë gjithmonë.
Kica-Xhelili ka thënë se Kosova ka qenë gjithmonë në të drejtën e saj të kërkesës për liri, por kërkesën e materializon vetëm kur sytë e botës i bëmë sy të mikut.
“Ditë si kjo nuk kapërdihen. Politika e fëlliqur serbe nuk kapërdihet. E tillë ka qenë gjithmonë! Kosova ka qenë GJITHMONË në të drejtën e saj të kërkesës për liri, pavarësi e demokraci - por kërkesën e materializoi VETËM kur sytë e botës i bëmë sy të mikut. Pikërisht për këtë arsye, aleancat me miq janë jetike. Pikërisht për këtë arsye, nuk guxojmë t’i kthehemi miqve vetëm atëherë kur ne kemi interesa, siç po bëjnë disa akterë politik sot. Nuk guxojmë të harrojmë e të jemi jofalënderues.” – ka shkruar ajo.
Tutje deputetja e LDK-së ka thënë se nuk guxojmë ta zhvendosim vëmendjen nga mos-koordinimi e agresioni i Serbisë në mos-koordinim e Kosovës.
“Nuk guxojmë ta zhvendosim vëmendjen nga mos-koordinimi e agresioni i Serbisë në mos-koordinimin e Kosovës. Nuk guxojmë t’i japim shkas asnjë zëri pro-serb në asnjë institucion të fuqishëm.”
Ndër të tjera Kica-Xhelili ka ftuar të gjithë ata që kanë thënë “sundim të ligjit” “pa koordinim”, që ta kuptojnë që sot dështoj edhe sundimi i ligjit.
“Sot, i bëj thirrje secilit që fliste për “sundim të ligjit” “pa koordinim”, ta kuptoj që sot dështoj edhe sundimi i ligjit, edhe koordinimi. Që sot u ridëshmua se kundër Serbisë jemi bashkë, por kundër miqve nuk mund të jemi sepse atëherë i ndihmojmë pikërisht agjendës serbe. Në atë betejë, do të qëndrojmë me miqtë për të qëndruar me Kosovën sepse kjo rrugë tashmë na është shtruar nga të parët - e ne shtëpinë nuk e mbajmë pa miq.” – ka shkruar ajo.
