Dy ura të reja në Mitrovicë, KFOR-si komenton: Jashtë përgjegjësisë tonë, kemi prani të përhershme në Urën e Ibrit - NACIONALE

Dy ura të reja në Mitrovicë, KFOR-si komenton: Jashtë përgjegjësisë tonë, kemi prani të përhershme në Urën e Ibrit

1 vit më parë

nga NACIONALE

KFOR-i ka thënë se ndërtimi i dy urave, anash asaj të Ibrit që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, është çështje jashtë përgjegjësive të këtij misioni. Në një përgjigje për Nacionalen, është përsëritur se KFOR është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi që lidhet me sigurinë në vend.

Pas “planit” për ndërtimin e këtyre dy urave, që u promovua me të madhe nga Lëvizja Vetëvendosje, misioni i KFOR-it ka thënë se kjo nuk është përgjegjësi e tyre.

“Përsa i përket pyetjeve tuaja, çështja që keni ngritur është jashtë përgjegjësive të KFOR-it. Prandaj, ju referojmë te institucionet përkatëse për çdo koment.

KFOR-i mban një prani të përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth për të siguruar një ambient të sigurt dhe të qetë. KFOR-i gjithashtu mban një prani të dukshme dhe fleksibile në Mitrovicën e Veriut, si dhe në gjithë Kosovën, dhe është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë në të mirë të të gjitha komuniteteve në Kosovë” – thuhet në një përgjigje dërguar Nacionales.

Në anën tjetër, edhe Bashkimi Evropian reagoi mbi këto zhvillime gjatë së premtes. Një zëdhënës i bllokut ka thënë për REL se nuk janë në dijeni dhe as të përfshirë në këtë projekt.

"BE-ja nuk është në dijeni të këtij projekti dhe as nuk është e përfshirë në të" – citohet se ka thënë zëdhënësi.

Po ashtu, nga BE-ja është theksuar se çdo vendim për ndërtim urash mbi Ibër duhet të merret me përfshirjen e të gjitha komuniteteve.

Ndërkohë kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka thënë se njëra prej urave parashihet të jetë për këmbësor, ndërsa tjetra për vetura dhe këmbësor.

Sipas tij, ndërtimi i tyre ka qenë kërkesë e qytetarëve dhe nuk pritet të paraqet ndonjë problem.

“Edhe pse Mitrovica veriu dhe jugu janë të lidhur me tre ura të tjera, mirëpo ka kërkesë për më shumë qarkullim, më shumë ura, kështu e kanë pa të arsyeshme me i ndërtu edhe këto, njëra për këmbësor, dhe tjetra për vetura dhe këmbësor.

Jo, pasi që është diçka kështu në kompetenca të dy komunave dhe janë kërkesa të qytetarëve, nuk ka ndonjë arsye pse mundet me qenë problem”ka thënë ai.

Lajme të ngjashme