KFOR-i njofton se i ka rritur masat e sigurisë pas sulmit ndaj infrastrukturës kritike - NACIONALE

KFOR-i njofton se i ka rritur masat e sigurisë pas sulmit ndaj infrastrukturës kritike

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Misioni i KFOR-it ka njoftuar ka rritur masat e sigurisë për të mbrojtur infrastrukturën në rajon, pas sulmit në kanalin e ujit në Zubin Potok.

Përmes një njoftimi për media, KFOR ka bërë me dije se Komanda Rajonale – Lindje, mbetet e përgatitur për të ofruar mbështetje të sigurusë.

“Pas sulmit në kanalin e ujit në Zubin Potok, Kosovë, misioni KFOR i udhëhequr nga NATO ka rritur masat e sigurisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike në rajon. Komanda Rajonale Lindje (RC-E) mbetet e përgatitur për të ofruar mbështetje të sigurisë, logjistike dhe inxhinierike për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.” – thuhet në njoftim, transmeton Nacionale.

Në fund, KFOR ka përsëritur mesazhin:

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 - për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”.

Ndryshe, mbrëmjen e së premtes, kanali i Ibër Lepencit është sulmuar me eksploziv, duke dëmtuar kështu infrastrukturën kritike.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencë të jashtëzakonshme pas shpërthimit në Ibër-Lepenc, kishte thënë se janë arrestuar tetë persona të dyshuar.

“Ky sulm terrorist s’është një sulm i rëndomte, i organizuar nga grupe dhe organizata profesioniste për kryerjen e sulmeve terroriste që shkaktojnë dëme të mëdha të infrastrukturës publike” – ka thënë ministri Sveçla.

“Pas hetimeve intenzive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona të dyshuar në stacion policor si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në.” – kishte thënë ai ndër të tjera.

Prokuroria Speciale e Kosovës me anë të një komunikate për media kishte njoftuar se nga dhjetë të arrestuar si të dyshuar, vetëm njëri nga ta gjendet nën masën e paraburgimit.

“Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt” – thuhet në komunikatë.

Më pas ishte arrestuar edhe një person tjetër. Jovan Viçentieviqit, të dyshuarit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit mbrëmjen e së premtes, të martën është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, pas takimit të korit diplomatik me kryeministrin Albin Kurti, kishte thënë se “është shumë herët për të dhënë konstatime se kush qëndron prapa këtij sulmi”.

“Kurti ftoi korin diplomatik në një takim dhe bisedë për sulmin e tmerrshëm. Në emër të Amerikës, mund të them se e dënojmë sulmin e tmerrshëm në infrastrukturën kritike të Kosovës. Amerika përkrah hetim të plotë, i japim përkrahje autoriteteve të Kosovës për hetim, autorët duhet të dalin para drejtësisë.” - tha Hovenier, raporton Nacionale.

“Në këtë pikë, Amerika nuk është në pozitë të thotë kush është prapa sulmit, duhet hetim i kujdesshëm, ne ofrojmë përkrahjen për autoritetet e Kosovës, një hetim kredibil dhe autorët të gjenden. Nuk mund të themi kush është përgjegjës, dhe nuk jemi në pozitë të përjashtojmë asnjë grup, është shumë herët. Nuk e dimë ende.” – kishte shtuar më tutje ambasadori amerikan në Kosovë.

Lajme të ngjashme