KFOR-i sërish: Të gatshëm të intervenojmë, po e analizojmë kërkesën e Serbisë
Misioni paqeruajtës në Kosovë – KFOR – ka bërë të ditur se janë duke analizuar kërkesën e Serbisë për kthimin e 1 mijë trupave në veri të Kosovës dhe se janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse është e nevojshme.
Në një komunikatë për mediat, KFOR ka thënë se aktualisht po e analizojnë kërkesën e Serbisë teksa nuk është treguar se kur do të merret ndonjë vendim.
“Tash për tash jemi duke e analizuar kërkesën e fundit të Qeverisë së Serbisë. Ne do të vazhdojmë që të ofrojmë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes që e inkurajojnë dialogun e frytshëm, duke ua dhënë udhëheqësve mundësinë për të krijuar zgjidhje afatgjata e të qëndrueshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.”, thuhet në këtë komunikatë.
Në këto komunikatë KFOR ka treguar edhe për stërvitjet e fundit të mbajtura më 19 dhjetor 2022 në kampin e Novo Sellës duke thënë se u bën për t'i testuar mjetet për shkak të situatës në veri.
“KFOR-i beson fuqishëm se përdorimi i dhunës dhe sjelljes agresive për të ndikuar në vendimet politike në Kosovë është i papranueshëm dhe perceptohet si provokim. Është përgjegjësi e të gjithëve që të garantojnë sigurinë dhe sigurinë kolektive të rajonit – këta elemente janë thelbësorë për dialogun e ardhshëm.”, thuhet tutje
“Ushtrimi më i fundit, i mbajtur më 19 dhjetor 2022, filloi në Kampin e Novosellës dhe u krye për t’i trajnuar dhe testuar aftësitë e njësiteve të KFOR-it për ta garantuar lirinë e lëvizjes duke i përdorur asetet në dispozicion (automjetet e rënda logjistike dhe asetet inxhinierike). Për shkak të ndërlikueshmërisë së mjedisit të tanishëm operues, më e rëndësishmja është që këto sisteme dhe aftësi të testohen, pasi ato e luftojnë rrezikun kolektiv, nëse nuk mund të përmbushen marrëveshjet e ardhshme politike. Ka shumë aktorë në terren të angazhuar për të bërë përparim, por KFOR-i mbetet syçelë dhe i gatshëm për të reaguar. Ne jemi të gatshëm për të ndërhyrë, nëse është e nevojshme, vetëm për ta parandaluar eskalimin, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së.”, thuhet në komunikatën e KFOR.
During the last days, the #NATO-led #KFOR mission conducted a series of exercises in northern #Kosovo to test its capabilities to continue ensuring a safe and secure environment and freedom of movement.
— @NATO - KFOR (@NATO_KFOR) December 21, 2022
Read more: https://t.co/n32f2I3PFX pic.twitter.com/YxD1c1g5OD
Barrikadat që s'po largohen
Ndryshe tensionet në veri vazhdojnë të jenë prezente. Edhe dje gjatë natës janë dëgjuar shpërthime në veri të vendit, ndërsa barrikadat ende nuk janë larguar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka theksuar se KFOR-i i ka kërkuar ende kohë për heqjen e barrikadave. Megjithatë, në deklarimin e tij, i pari i ekzekutivit shtoi se “nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe gjatë”
“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, deklaroi Kurti.
Ndërsa, në mediet është raportuar vazhdimisht se policët e Kosovës janë të bllokuar në pjesën veriore të vendit, ndonëse këto ato u mohuan nga institucionet kosovare të sigurisë.
Në një përgjigje për mediat, KFOR-i ka deklaruar se ka transportuar nëntë policë, për shkak se kanë qenë të sëmurë.
“KFOR-i është në kontakt të ngushtë me PK-në dhe për t’i përkrahur ata kemi transportuar nëntë policë të sëmurë”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e KFOR-it.
Edhe misioni Ii EULEX-i u ka dërguar ushqim, veshmbathje si dhe gjëra higjienike policëve në Rudnicë dhe Jarinjë.
“Me kënaqësi ju njoftoj se pas kërkesës së Policisë së Kosovës, EULEX-i më 17 dhjetor, oficerëve të Policisë së Kosovës në pikën e përbashkët të kalimit në Rudnicë/Jarinjë u dorëzoi furnizime thelbësore, duke përfshirë furnizime ushqimore, veshmbathje si dhe sende higjienike”, shkruan shefi Lars-Gunnar Wigemark në Twitter.

