KFOR-i për ulje të pranisë së përhershme në Urën e Ibrit: “Është graduale dhe e kushtëzuar”
Misioni Paqembajtës i NATO-s në Kosovë është deklaruar për raportimet se do t’i bartin Policisë së Kosovës përgjegjësi për mbajtje të sigurisë te Ura e Ibrit.
Në një përgjigje për Nacionalen, KFOR-i tha se kjo gjë do të jetë “graduale dhe e kushtëzuar” dhe vjen si pasojë “e optimizimit” të pranisë së KFOR-it në Kosovë.
Për “optimizim” ishte deklaruar edhe Shefi i NATO-s, Mark Rute, se do të ketë reduktim të trupave të KFOR-it në Kosovës në gjendjen “e para 2023-ës.”
Një fjali që përbën ndryshim nga të mëhershmet është nga “prania e përhershme” në “prani të dukshme.”
Përgjigja e plotë e KFOR-it siç e dhanë për Nacionale:
Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja ka nisur kalimin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Mojsiloviq, gjithashtu është informuar rregullisht. Gjeneralmajor Ulutaş, komandant i misionit të KFOR-it, mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.
Personeli ynë është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it nga OKB-ja. KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në veri të Mitrovicës, si dhe në veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet.
KFOR-i vazhdon ta përmbushë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.