KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës në veri - çfarë dimë deri më tani?
Nacionale së fundi ka konfirmuar se në vendin e ngjarjes ka arritur edhe KFOR-i, për të deminuar një mjet të pashpërthyer, brenda zyrave të KQZ-së.
Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it po ashtu janë parë pranë zyreve të KQZ-së në veri të vendit.
Gazetarët e Nacionales, Halim Kafexholli e Miranda Shala janë duke raportuar nga vendi i ngjarjes. Ata më herët raportuan se një tjetër shpërthim është dëgjuar në pjesën veriore të vendit.
Sipas raportimeve, vendi i njërit prej shpërthimeve tashmë është rrethuar nga policia kosovare dhe ajo e EULEX-it.
Gazetarët që po raportojnë nga veriu i Kosovës, janë detyruar nga Policia që të largohen përkohësisht nga vendi i ngjarjes, për shkaqe sigurie, siç u është thënë atyre.
Në anën tjetër, përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", kryeministri Albin Kurti ka komentuar zhvillimet në veri të vendit, duke shtuar se bandat e dinë që po ju vie fundi.
"Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje", ka thënë ndër të tjerash ai.


