Këta janë personat që e mbrojtën imamin në Halabak të Podujevës – I sulmuan 4 të tjerë
Podujeva nuk ka qetësi nga tensionet nëpër xhami.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se tensione janë shfaqur në xhaminë e fshatit Halabak.
Sipas Policisë, tre persona i dolën në mbrojtje imamit të xhamisë duke i sulmuar katër të tjerë që kishin për synim ta pengojnë imamin.
Burimet kanë bërë me dije se tre persona ndodhen në arrati lidhur me këtë rast dhe të njëjtit dyshohet se i sulmuan katër të tjerë, për shkak të pengimit të imamit, Hyzdri Murseli. Nacionale ka mësuar se bëhet fjalë për dy vëllezërit Xhakolli, Avdiu dhe Sabedini, si dhe i dyshuari tjetër Fikri Kosumi, të cilët ndodhen në arrati.
Sipas informacioneve të para tre të dyshuarit për këtë rast, kanë sulmuar katër personat që dyshohet se e penguan imamin, i cili kishte shkuar për të kryer ritet fetare në këtë xhami.
Njoftimi i Policisë:
Fsh. Halabak, Podujevë 18.02.2023 – 18:45. Raportohet se në momentin kur imami i caktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës në Podujevë ka shkuar në xhaminë e fshatit për kryerjen e riteve fetare, katër persona nuk janë pajtuar me imamin e caktuar dhe e kanë penguar atë, pastaj tre të dyshuar që tani ndodhen në arrati, nuk kanë lejuar që të sulmohet hoxha dhe gjatë asaj kohe njëri nga të dyshuarit dyshohet se e ka sulmuar me kondak të revoles njërin nga katër viktimat duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Në koordinim me prokurorin e shtetit është kryer një kontroll në shtëpinë e të dyshuarve dhe është gjetur një fotroll e revoles. Të dyshuarit gjenden në arrati, rasti vazhdon të hetohet.