"Kështu na arrestojshin Serbia": Zvarritja e protestuesit që donte t'i fliste Kurtit, shqetëson qytetarët
Gjatë ditës së sotme një protestues që donte të fliste me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, u zvarrit në rrugë nga disa zyrtarë policorë. E kjo ka shqetësuar qytetarët tjerë të vendit.
Protestuesi në fjalë ishte ish-punëtor i kompanisë “Kosova-Thëngjill”, që ishte jashtë funksionit prej vitit 2021. Rreth 200 punëtorë të kësaj kompanie, prej asaj kohe kishin mbetur pa punë. Nacionale foli me disa prej tyre.
Por, akti i Policisë së Kosovës që u shpërfaq edhe në video të transmetuar nga Nacionalja, tregon se si njëri prej tyre tërhiqet zvarrë nga ana e Policisë së Kosovës.
“Kështu na arrestojshin policia e Serbisë kur protestojshim. Ku jeni more dhe për çka luftuam me na ngre zhag policia jonë. Mjerim. Me dhanë urdhëra ata që s’e kanë dhanë asnjë ditë kontribut për shtet!” - shkroi z. I. L.
“Shtet diktatorial. Andej jemi kah shkojmë. Kjo është shumë shqetësuese,” – shkroi një tjetër.
“Garant qeky që e kanë zvarritë përtoke u kon pjesëmarrës i protestave të VV-së. Tash shoku i tij e merr në urdhër policinë me zvarritë për me ja ndalu lirinë e shprehjes. Ncncnc. Turp,” – shkroi A. R.
“Nuk e di a iu kujtohet një kohë e më parë në kohën e Thaçit president kur i tërhiqnin kështu zvarrë. Kur ky kryeministër hedhte zjarr prej goje kinse çka po bën pushteti. E tani kur ky kryeministër tash në pushtet nuk pranon me folë me një qytetar dhe lejohet të tërhiqet zvarrë nga policia e nuk e thotë asnjë fjalë. Çfarë paturpësie nga pushteti aktual dhe nga deputetët e saj,” – shkroi ndërkohë I.J.