Këshilltari i Scholz-it me një lëvizje duarsh i rrëzon pretendimet e Kurtit për Lajçakun - NACIONALE

Këshilltari i Scholz-it me një lëvizje duarsh i rrëzon pretendimet e Kurtit për Lajçakun

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Me një gjest përmes duarve (video më poshtë në artikull), Jens Plotner – këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz – shënjoi mbështetjen ndaj ndërmjetësit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kjo pas akuzave “fatale” më 14 shtator e tutje që erdhën nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në drejtim të Lajçakut për “konspirim” me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të jetësuar “vetëm gjysmën e Marrëveshjes Bazike”; përkatësisht themelimin e Asociacionit të Komunavetë banuara me shumicë serbe.

Kurti, kishte mbajtur një nga konferencat më të zjarrta të tij për media para publikut kosovar pas takimit të Nivelit të Lartë në Bruksel më 14 shtator, ku pretendonte se emisari sllovak nuk është më ndërmjetës, por palë; përçues dhe realizues i kërkesave të Serbisë.

Kishte njoftuar se u kishte nisur letër qendrave të botës për t’u shpjeguar se “Lajçaku e ka deformuar procesin” duke kërkuar “vetëm Asociacionin”; ndërsa i mëshonte edhe më tej pretendimeve se pjesa tjetër e marrëveshjes synohej të mos realizohej; përkatësisht ajo që ai e interpreton si “njohje de facto”.

Parisi, Berlini, Roma, Brukseli dhe Uashingtoni kishin pranuar një letër me këto pretendime të Kurtit – por, asnjëra nga këto qendra të botës s’i kishte kthyer përgjigje – ose thënë më saktë; heshtja e tyre ishte përgjigje.

Por, heshtjen do ta thyente Uashingtoni.

Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar amerikan i Shtetit i ngarkuar me Çështje të Evropës dhe Eurazisë, e kishte quajtur “tërësisht të gabuar” mbarë letrën e Kurtin, teksa ishte shprehur i habitur. “Nuk e dimë pse po e bën këtë”, kishte thënë Escobar në një intervistë për “The Pavlovic Today”.

Në atë letër, siç e shpjegonte Esocbar-i, Kurti kishte kapërcyer në dimensione të çuditshme të pretendimeve ku akuzonte Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si dhe Përfaqësuesin Special të Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se “po koludojnë (kanë marrëveshje të fshehtë) me Rusinë për qasje të anshme kundër Kosovës”.

“Mund t'ju them se letra për sekretarin Blinken, m'u desh të thosha stafit të Sekretarit se nuk ishte e justifikuar. Nuk di pse është duke e bërë këtë”.

Një fushatë e egër në vend ndaj Lajçakut kishte nisur nga partia në pushtet, Vetëvendosje, pas deklarimeve të Kurtit se tashmë Lajçaku “ishte në anën e Serbisë”.

Ndërkaq, vetëm sot, pas takimit të “pesëshes së madhe” kur Lajçak, Escobar bashkërisht me këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, Kurtit këto pretendime iu fshinë bukfalisht “me dorë”.

Ishte gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi, ai që riktheu në sipërfaqe këto pretendime të Kurtit. “Zoti Lajçak, a keni marrë anën e Serbisë?”, e pyeti gazetari Lajçakun.

Ky i fundit me një buzqeshje të ftohtë prej diplomati, tha se “jam në anën e BE-së”.

Por, prapa shpinës së tij, ishte Jens Plotner, këshilltari kryesor i Olaf Scholz-it, i cili pa thënë asnjë fjalë por thjesht me një lëvizje duarsh, do të tregonte përkatësinë dhe anësinë e Lajçakut.

Bëri një shëtitje duarsh majtas-djathas, kah diplomatët e pranishëm, për të shënjuar se në anën e kujt është, ose ata, në anën e kujt janë.

Kjo, si përgjigje përfundimtare ndaj Albin Kurtit, kryeministër të Kosovës, të cilit njëjtë sikurse më 14 shtator që i kërkohej zbatimi në paralel i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, edhe më 21 tetor iu kërkua e njëjta.

“Pa themelimin e Asociacionit Kosova nuk mund të bëjë përparim në rrugën e saj evropiane”, tha Lajçak, ndërsa shtoi edhe se “Kurti ka përgjegjësi”.

Ndërkaq, Kurti vetëm pas konferencës për media, nxorri një deklaratë për media në faqen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku shkroi se ndërmjetësit dhe mbështetësit e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duhet të kenë reflektim cilësor dhe qasje të re”.

Lajme të ngjashme