Këshilltari i Kurtit sulmon BE-në por jo ShBA-në: Po shkaktojnë konfuzion në Kosovë - NACIONALE

Këshilltari i Kurtit sulmon BE-në por jo ShBA-në: Po shkaktojnë konfuzion në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilltari i kryeministrit Kurti, Hysamedin Feraj, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook e në të cilin denoncon “konfuzionin evropian”.

Sipas tij, ky konfuzion evropian po shkakton konfuzion politik edhe në Kosovë.

Por, në fakt kërkesat të cilat denoncohen nga këshilltari i Qeverisë Kurti janë bërë edhe nga ShBA-të megjithëse ky partner i Kosovës nuk përmendet prej tij.

Në fakt, kërkesa për shtyrjen e targave ishte përmendur si “kërkesë personale” e sekretarit amerikan Antony Blinken.

“Europianët, Nga njëra anë kërkojnë që Kosova të bëj përparim në zbatimin e ligjit, nga ana tjetër kërkojnë të mos zbatohen ligjet, ose së paku të shtyhet zbatimi i ligjeve!” – thotë z. Feraj.

Ai ndërton argumentin e tij edhe me pika tjera, që kryesisht sulmojnë idenë e shtyrjes së vendimit për targat

Statusi i plotë dhe pa ndërhyrje:

Konfuzioni europian ka shkaktuar konfuzion politik në Kosovë:

.I.

Europianët,

▪︎ Nga nëra anë kërkojnë që Kosova të bëj përparim në zbatimin e ligjit, nga ana tjetër kërkojnë të mos zbatohen ligjet, ose së paku të shtyhet zbatimi i ligjeve!

▪︎ Nga njëra anë, po të mos zbatohen ligjet Kosova klasifikohet në vendet problematike lidhur me demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve, nga ana tjetër po të zbatohen ligjet klasifikohet në vendet problematike... për çfarë?

▪︎ Nga njëra anë kërkojnë barazinë e qytetarëve, nga ana tjetër kërkojnë qytetarë të privilegjuar.

▪︎ Nga njëra anë kërkojnë të luftohet korrupsioni sipas ligjit, nga ana tjetër kërkojnë korruptimin (prishjen) e idesë së drejtësisë dhe të vetë ligjit, teksa kërkojnë që ligji dhe e drejta të mos vlejnë barabar për të gjithë.

▪︎ Nga njëra anë na kërkojnë, madje detyrojnë që Kosova me ligj ushtetutes të jetë e gjitha vend multietnik, nga ana tjetër kërkojnë oaze një etnike dhe, më tej privilegje një etnike në institucionet ligjbërës e ligjzbatues në gjithë Kosovën.

▪︎ Si rezultat, nga njëra anë kërkuan dhe i dhanë fund statusit të shqiptarëve si qytetarë të dorës së dytë në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë e më vonë të Serbisë, nga ana tjetër kërkuan dhe u dhanë shqiptarëve statusin e qytetarëve të dorës së dytë në Republikën e Kosovës.

▪︎ Nga nëra anë kërkojnë normalizimin e gjendjes demokratike, nga ana tjetër kërkojnë shpalljen e përditshme të gjendjes së jashtëzakinshme që pezullon gjendjen dhe të drejtat demokratike.

.II.

Vetë shqiptarët tani janë konfuzë dhe të ndarë sipas kësaj skizofrenie të kërkesave europiane:

▪︎ Shumica në pozitë për zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, barazinë e qytetarëve dhe respejtimin e të drejtave të pakicave etnike.

▪︎ Pakica, në opozitë me të, për shtyrjen e vazhdueshme të zbatimit të ligjeve, për mosbarazinë e qytetarëve dhe për pakica etnike të privilegjuara si qytetarë të dorës së parë.

▪︎ Shumica u qëndron vlerave europiane, pakica i qëndron kundërtisë me vlerat dhe përputhjes me taktizimet për si të shkelen ato vlera.

▪︎ Shumica konsideron mençuri polititike europiane vlerat (iluministe) europiane, pakica konsideron mençuri politike aftësinë e gjetjeve taktike për shkeljen vlerave europiane.

▪︎ Shumica në pozitë që e do Europën e vlerave, pakica në opozitë që e do burokracinë eurpiane që i dobëson dhe mpakë ato vlera.

▪︎ Shumica në pozitën për stabilizimin e gjendjes demokratike, pakica për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme sapo mbaron afati i asaj që ishte vendosur më parë.

Shkurt:

Shumica për demokracinë afatgjatë, pakica për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Këto janë pak nga lista shumë më e gjatë e kundërtive që bartë konfuzion i gjerë europian, me rezultat një konfuzion lokal në Kosovë.

Lajme të ngjashme