Këshilli Prokurorial reagon pas deklaratës së ministres Haxhiu - dënon gjuhën kërcënuese
Retorika që ka përdorur sot ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ndaj prokurorit Iliaz Beqiri, të cilin e ka bërë thirrje të dorëzohet, është dënuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
KPK-ja ka kërkuar që ministrja Haxhiu të heqë dorë nga nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi.
Reagimi:
KPK-ja dënon gjuhën kërcënuese të Ministres Haxhiu, të përdorur sot ndaj Prokurorit Beqiri
Prishtinë, 10 shkurt 2023 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dënon gjuhën me përmbajtje kërcënuese të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Iliaz Beqiri, të përdorur në seancën e sotme gjyqësore ndaj saj, në të cilën akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
KPK-ja i bënë thirrje Ministres Haxhiu edhe një herë që të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, sepse gjuha e saj e përdorur është tentativë për ndërhyrje në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit.
Në anën tjetër, KPK-ja do të vazhdojë fuqishëm të mbështesë dhe të mbrojë me të gjitha mjetet juridike në dispozicion punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës.
Më shumë sfond: Ndonëse është 16-vjetori i protestës së 10 shkurtit të 2007, Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka pasur një agjendë tjetër. Ajo është paraqitur në një seancë në gjykatë, për shkak të akuzës për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvendin e Kosovës.
Por aty u vërejt një gjuhë e çuditshme nga ana e Haxhiut, e cila po tenton të shtyjë përpara një vetting në sektorin e drejtësisë. Zonja Haxhiu e përdori një togëfjalësh problematik. Ajo i tha prokurorit të rastit të dorëzohet sa nuk është vonë.
“Konsideroj që ekspertiza në këtë proces gjyqësor është shumë e rëndësishme, pra është thelbi i çështjes dhe konsideroj që nuk mund të ftohen, gjykohen, dënohen personat pa një ekspertizë të tillë. Pra, nuk mund te gjykohen personat me interpretime të prokurorit, duhet të ketë prova, duhet të ketë fakte, duhet të ketë ekspertizë, prandaj ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza, nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë.” - deklaroi Haxhiu.