Kërkoi të mos kritikohej për zero njohje, Kurtit ia kujtojnë disa gjëra: Korrupsionin dhe sanksionet nuk i premtove, por i kemi
Kërkesa e djeshme e kryeministrit Albin Kurti në Kuvend që të mos kritikohet për mungesë të njohje gjatë këtij mandati, ka nxitur reagime të ashpra në vend.
Opozita dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se sjellja e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës nuk është çështje e premtimeve elektorale, por detyrim shtetëror.
Ata ia kanë kujtuar kryeministrit korrupsionin qeveritar, sanksionet e BE-së dhe inflacionin, të cilat, sipas tyre, Kurti nuk i ka premtuar gjatë fushatës, por sot Kosova po përballet me to.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se as korrupsioni masiv qeveritar dhe as sanksionet e BE-së nuk kanë qenë premtime elektorale.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se sot Kosova po përballet me këto dy gjera.
“Kosova, vend me korrupsion qeveritar masiv. Nën sanksione të BE-së tash e 18 muaj. Asnjëra prej tyre nuk qenë premtime zgjedhore të Vetëvendosjes-Guxos. Nuk i premtuan, por i kemi. As njohje të reja të Kosovës, natyrisht. As i premtuan, as i kemi. Asnjë njohje për katër vjet të regjimit të ri”, ka shkruar Hamiti.
Me deklaratën e Kurtit është tallur edhe analisti Ilir Morena.
"Ne s'kemi premtuar njohje te reja ne fushat zgjedhore", Albin Kurti dje ne Kuvend. As sanksione per Kosoven s'ke pas premtu, po qe...”, ka shkruar Mirena në profilin e tij në “Facebook”.
Kurse, analisti Afrim Kasolli ka qenë edhe më i ashpër me kryeministrin Kurti.
Të parit të qeverisë ai ia ka rikujtuar përgjegjësitë shtetërore.
“Personalisht, kam pritur që i pari i Qeverisë së Kosovës, do të sajonte lloj-lloj interpretimi dhe justifikimi tjetër për këtë ngecje diplomatike dhe shtetërore. Por, jo që do të kërkojë që të pezullohet kritika ndaj tij, me motivin se ky synim strategjik nuk ka qenë zotim i tij. Bie fjala, ka mundur të mbrohet me rrethanat e reja ndërkombëtare që janë krijuar në ndërkohë, pas luftës në Ukrainë. Ashtu, siç është shfajësuar për inflacionin. Sepse as këtë të fundit nuk e ka pasur premtim elektoral. Mirëpo, në kohën e qeverisjes së tij, ky fenomen ekonomik, ka njohur rritjen më të madhe, duke shkuar në 12 për qind, veçanërisht në vitin 2022. As nuk ka premtuar rritje enorme të çmimeve, ku një litër vaji kishte arritur gati shifrën 4 euro. Përkundrazi. Sidoqoftë, duke qene se ndodhi e kundërta e zotimeve elektorale atëherë lufta në Ukrainë u përdor si vis major”, ka vlerësuar Kasolli.
Sipas tij, tentimi i shefit të qeverisë për t`u shfajësuar për çështjen e mungesës se njohjeve nuk është logjik.
“Pretendimi për t’u shfajësuar në këtë rast për shkak se nuk ka qene kjo teme elektorale është non-sens logjik. E para kjo as që ka nevojë te jetë e tillë. Sepse sigurimi i njohjeve të reja është detyrim shtetëror. Ngase me të lidhet edhe përmbyllja ndërkombëtare e shtetësisë. Natyrisht, për shkak të pengesave në Këshill të Sigurimit as kjo nuk do të mjaftonte. Megjithatë, pranimi i shtetit nga pese vendet mos-njohëse evropianë, të paktën do ta debllokonte rrugën e integrimit në BE dhe nën NATO. Struktura këto më të rëndësime për Kosovën se sa vetë OKB-ja. E kuptueshme as realizmi i këtyre objektivave nuk është detyre e lehtë. Sepse edhe në këtë rast ajo varet nga shumë faktorë tjerë, e jo vetëm nga vullneti i shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar Kasolli.
Në seancën e djeshme të Kuvendit, kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga opozita për mungessë të rezultateve në politiken e jashtme.
Ata kanë bërë me dije se për gjatë katër viteve mandat kryeministri Kurti nuk ka sjell asnjë njohje për Kosovën.
Ndaj këtyre kritikave ka reaguar kryeministri Kurti.
Ai ka bërë me dije se opozita duhet t`i kërkoi llogari vetëm për atë që ka premtuar.
“Unë e di që jemi kritikuar pse nuk ka njohje të reja, por duhet ta kuptoni një gjë, as liberalizimin e vizave, as njohjet e reja nuk i kemi premtuar njohjet e reja. Në fushatë kemi premtuar punësim dhe drejtësi. Neve duhet ta na matni me premtimet që kemi dhënë”, ka thënë Kurti.
Në këtë mandat, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje dhe nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.