Kërkohet unitet i partive politike, shtohen zërat për qeveri teknike
Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk ia mundëson asnjë partie politike si e vetme t`i krijojë e institucionet e reja. Ani pse kanë kaluar një muaj nga arritja e këtij rezultati, partitë politike po tregohen të ngurta në arritjen e ndonjë kompromis për formimin e qeverisë së re.
Kjo ka bërë që të shikohet mundësia për alternativa tjera për tejkalimin e situatës aktuale. Në këtë drejtim, si mundësi për të shmangur zgjedhjet e reja po shihet rruga e formimit të një qeverie teknik.
Kjo ide po favorizohet nga njerëzit jashtë politikes edhe për shkak të ngjarje globale që po zhvillohet dhe sfidat me të cilat do të përballet Kosova në këtë mandat qeverisës.
Një qeveri e tillë, kanë thënë propozuesit, do të merrej me dialogun me Serbinë dhe disa sfida tjera që e preokupojnë Kosovën.
Deputet i Kantonit të Bernit, Korab Rashiti, ka bërë me dije se në situatën aktuale për Kosovën do të ishte më e mirë një qeveri e unitetit kombëtar.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar kjo do të ishte e rëndësishme edhe për disa çështje tjera.
“Në një kohë kur regjimi në Beograd duket se po numëron ditët e tij dhe një opozitë heterogjene po formohet mes socialistëve dhe nacionalistëve pro-russ extreme, deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës do të bënin më mirë të zgjidhnin një koalicion të unitetit kombëtar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që vijat gjeostrategjike po riformësohen dhe Bashkimi Evropian, bashkë me shtetet që e përbëjnë, po përballet me vështirësi ekonomike shqetësuese”, ka shkruar ai.
Kurs, analisti politik Shkëlzen Maliqi ka bërë me dije presidentja Osmani ta duhet të ndihmojnë edhe krijimin e një qeveria teknike.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka treguar temat me të cilat do të duhej të merrej kjo qeveri.
“Nëse Kurti e ka pas vështirë të nënshkruaj dhe realizojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, si një akt kyç për realizimin e tërësisë të marrëveshjes, sot në rrethanat tejet të trazuara ndërkombëtare ndoshta do të reflektoi a duhet të vazhdojë me kokëfortësinë e tij në raport me partnerët strategjikë, duke u pajtuar që të bëhet një marrëveshje xhentlemene për qeveri teknike që i kryen disa punë taksative rreth marrëveshjes me Serbinë. Kuptohet, nuk di a ka ai fare gatishmëri për këtë. E kuptoj pse dyshohet për këtë sepse gjatë fushatës dhe me shpalljen e “fitores” natën e 9 shkurtit, që po del si një fitore e Pirros, ai i ka thelluar animozitetet me liderët tjerë”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, veprimi i Osmani duhet të shtyhet edhe nga ndërkombëtarët.
“Mirëpo, Presidentja Osmani, po e bëj edhe një spekulim pa parë, e mbështetur nga këshilltarët ndërkombëtarë, do të mund të bënte në vitin e fundit të mandatit të saj një punë të hajrit, duke luajtur rolin e instancës racionale që na nxjerrë nga pozicionimet idhnake të liderëve që ua ka rra hise të vendosin për fatin e vendit. Fundja, kjo i takon edhe me funksinin që e ka, nëse e ka ndërgjegjen për këtë”, ka vlerësuar Maliqi.
Thirrje për unifikim të spektrit politik ka bërë edhe akademik Arsim Bajrami.
Në profilin e tij në “Facebook”, Bajrami ka shkruar se liderët politikë këtë gjë duhet ta shikojnë si imperativ të kohës.
“Në këtë moment të rëndësishëm për shtetin tonë, ne ndjehemi të detyruar për të propozuar një unitet të nevojshëm politik mes të gjitha partive dhe liderve politik. Kosova po përballet me sfida të shumta, dhe është koha që të bashkojmë forcat tona për t’i përballuar ato me sukses. Kjo është një imperativ i kohës, në momente, kur rendi i ri botëror po ndryshon me shpejtësi të paparashikueshme. Po kalojmë në momente kritike të rikonfigurimit politik në botë, kur vetem me një unitet të partive politike në çështje shtetërore, Kosova mund të rreshtohet drejtë karshi sfidave me të cilat po përballemi”, ka shkruar ai, duke shtuar se një gjë e tillë do të ishte në të mirë të qytetarëve.
“Uniteti politik është themelor për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit tonë. Bashkëpunimi ndërpartiak nuk është vetëm një alternativë, por një domosdoshmëri që do të ndihmojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e institucioneve tona. Me ketë rastë, partitë politike parlamentare dhe lideret e tyre duhet të ulen të gjithë së bashku, pa dallim ideologjie, për të diskutuar rreth mundësive të themelimit sa më të shpejtë të institucioneve dhe të bashkëveprimit e zgjidhjeve për sfidat tona të përbashkëta”, ka vlerësuar ai.
Kurse, Elmi Berisha, kryetar i shoqatës VATRA në ShBA, ka thënë se një qeveri me bazë të gjerë duhet të bëhet për shkak të dialogut të Kosovë – Serbi.
Në “Edicionin Special’ të Klan Kosovës, ai ka thënë se nën administron e re të ShBA-së ky proces do të përmbyllet.
“Është koha e nevojshme që shqiptarët të reflektojnë, kosovarët të reflektojnë. Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë me presidentin Trump do të ndodhin dhe sigurisht se do ta kenë edhe fundin e tyre. Është me rëndësi që qeveria e re e Kosovës të jetë sa me ipmakte, e fuqishme, unifikuese dhe ta ketë përkrahjen e të gjithë kosovarëve dhe gjithë liderëve politik në Kosovë. Sepse kjo nuk është fontanë dëshirash, është gjeja më e rëndësishme që shqiptarët e Kosovës do ta përjetojnë pas luftës, e që është përfundimi i bisedimeve me Serbinë”, ka thënë Berisha,