Kërkohet hetim për Dejona Mihalin: Qysh e kishte mbrojtur Kurti aktivisten e pushtetshme nga Shqipëria?
Dejona Mihali, aktivistë e pushtetshme e VV-së nga Shqipëria, është në qendër të vëmendjes së opozitës. Tashmë janë shtuar zërat që kërkojnë hetim rreth pushtetit dhe figurës së Mihalit, që zyrtarisht është koordinatore e komiteteve të VV-së. Por shefi i saj formal në VV, Albin Kurti, e kishte mbrojtur në dy raste Mihalin.
Kohë më parë, kryeministrit Kurtit, që është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, i ishte shtruar një pyetje interesante në Kuvendin e Kosovës. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e kishte pyetur Kurtin rreth Mihalit, të cilën Haki Haki Abazi, ish-deputet i revoltuar i VV-së, e kishte quajtur “masha e Kurtit”.
Në pyetjen e zonjes Musliu rreth pjesëmarrjes së Mihalit në një udhëtim zyrtar të Kurtit në Shqipëri, shefi i ekzekutivit nuk kishte sqaruar asgjë, pasi shefi i ekzekutivit kishte përdorur veç një togfjalësh i çuditshëm: “bashkëpunëtore e imja”.
“Dejona Mihali është bashkëpunëtore e imja e kahmotshme, ka vlerë të shtuar në rolin e saj edhe si drejtuese e Komiteteve profesionale dhe punës që bën me Kuvend për koordinimin me Grupin Parlamentar për nga fusha profesionale.” – deklaroi Kurti.
Madje, gjatë fjalës së tij, Kurti ishte treguar edhe cinik.
“Së pari më lejoni deputetja Musliu që t’iu falenderohem për këtë kompliment, pas dy vite qeverisje demokratike, progresiste, shikoni se çfarë pyetje më bëni mu. Ka ngel puna që të më kapeni për Dejona Mihalin. Kjo është kompliment për qeverisjen tonë.” – theksoi Kurti.
Tutje Kurti ishte kujdesur të sqarojë tashmë një gjë të sqaruar, se zonja Mihali nuk është nga Beogradi.
“Gjithçka ka shkuar aq mirë e bukur, paska ngelur problemi me Dejona Mihalit. Këtë do t’ua sqaroj edhe votusve tuaj, mbështetsve tuaj, ajo është nga Tirana, mënyra qysh po e shtroni pyetjen, mos po menon najkush që është nga Beogradi. Unë kam qenë në Tiranë, Dejona Mihali është Tiranëse.” – vlerësoi shefi i Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa Kurti ishte përgjigjur edhe në akuzat e Abazit ndaj Mihalit, duke i quajtur si të pavërteta.
“Ato nuk janë të vërteta e as të sakta. Për këtë është përgjigjur ministrja e Drejtësie. LVV është subjekti më i madh dhe më demokratik. Unë nuk mund të mbajë përgjegjësi për fjalën publike të dikujt.” - ka thënë ai.
Kërkesa për hetim
Ndryshe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, dje ka kërkuar të organizohet një komision hetimor parlamentar për ta hetuar zonjën Mihali.
“Unë mendoj se për të duhet të organizohet një komision hetimor parlamentar, duke filluar nga dhënia e nënshtetësisë, që të identifikohen shkeljet të cilat janë bërë. Është e pamundur që Dejona Mihali t’i kalojë procedurat e rregullta. Mua më vjen mirë që Florin Krasniqi e ka kuptuar gabimin që e ka bërë duke e mbështetur Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin.” – ka thënë Musliu për gazetën Periskopi.
Florin Krasniqi, ish-deputet i VV-së, ka qenë i ftuar në RTV Dukagjini, i cili poashtu foli për zonjën Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në VV.
Krasniqi ka treguar se e ka takuar disa herë Mihalin sa ishte në VV. Madje ai ka treguar edhe i ka dhënë pagë nga paratë personale.
“Dejonës i kam dhënë rrogë disa vjet, unë e kam pagu prej pareve të mia personale. Rrogën që e kam marrë prej Kuvendit të Kosovës e kam da për 4-5 aktivistë të VV-së, njëra prej tyre u kanë Dejona Mihali.” – tha ai në RTV Dukagjini.
Tutje, ai ka theksuar se AKI-së duhet t’i kërkohet dosja e zonjës Dejona Mihalit.
“Aktiviste shumë punëtore, shumë e meçme. Por tash ka ardh në një situatë kur mendoj që kryetarja e Komisionit për mbikëqyrjen AKI-së, që nëse nuk gaboj është kryetare Ganimete Musliu. Ajo duhet me shku me u ulë me drejtorin e AKI-së dhe me ia kërku dosjen e Dejona Mihalit.” – tha ai.


