Kërkohet arrest shtëpiak edhe për Sllagjan Trajkoviqin, edhe për të thuhet se është i sëmurë rëndë
Avokati i ish-policit të arrestuar të Kosovës, Sllagjan Trajkoviq, është shprehur se gjendja shëndetësore e klientit të tij është përkeqësuar ndjeshëm dhe se do të kërkonte “zëvendësim” të masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.
Avokati Dejan Vasiq, që po ashtu përfaqëson edhe Millan Axhiqin, tha se një vendim do të merrej sot ose nesër në lidhje me atë se a do t’i vazhdohej ose jo paraburgimi.
“Gjendja e Trajkoviqit është përkeqëuar pas intervenimit kirurgjik që ka pasur... Plaga iu infektua dhe atij iu deshën ekzaminime speciale,” – tha z. Vasiq për Tanjugun.
“Ai është në gjendje kritike shëndetësore, marrë parasysh që ka probleme me diabet dhe me mëlçi,”
Vasiqi tha se do t’i kërkonte Gjykatës Themelore që të zëvendësonte masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Sllagjan Trajkoviqi aktualisht po mbahet në paraburgim në Podujevë. Ai dyshohet për krime lufte kundër popullësisë civile në Vushtrri në vitin 1999.
