Kërkesa e BE-së për formimin e institucioneve, Tahiri: Diplomacia e evropiane i kupton pasojat për shtetin tonë
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e ka komentuar kërkesën e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, për formim sa më të shpejt të institucioneve.
Ajo ka theksuar se e vlerëson lartë këtë kërkesë.
Në profilin e saj në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se zyrtari evropian i kupton pasojat e vonesës së krijimit të institucioneve.
“Shefi i zyres se BE Orav po lut politikanet qe ta formojne qeverine - e vleresova -sepse diplomacia evropiane i kupton pasojat per shtetin tone”, ka shkruar Tahiri.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar se partnerët ndërkombëtarë po analizojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Ai u ka bërë thirrje forcave politike që të veprojnë pa vonesë për të formuar institucionet.
“Jemi duke e analizuar aktualisht, por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendit të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë që të ketë një qeveri me mandat të plotë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Orav gjatë një prononcimi për media, raporton REL.