Kërcënon Lista Serbe: Populli serb do të rezistojë ashpër nëse shqiptohen gjoba për targat
Lista Serbe ka kërcënuar me “rezistencë” të popullit serb në rast se iu shqiptohen gjoba pas vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat ku është prezantuar një plan shkallëzimi.
Përmes një reagimi të publikuar në llogarinë e tyre në Facebook, Lista Serbe ka akuzuar kryeministrin Kurti se “po vazhdon planin për dëbimin e serbëve nga shtëpitë e tyre”.
Tutje, ky subjekt politik publikisht ka kërcënuar me “rezistencë të ashpër”, nëse shqiptohet gjoba, të cilën Qeveria e prezantoi sot si masë.
“Duke pasur parasysh planin e Albin Kurtit për të shqiptuar disa qortime dhe dënime të tjera për serbët që posedojnë targa legale dhe legjitime të lëshuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë, në emër të popullit serb nga ky rajon duam t'ia themi atij qartë dhe pa mëdyshje se shqiptimi i masës së parë të gjobës do të jetë shkak për përgjigje dhe rezistencë të ashpër të popullit serb sepse jemi të vetëdijshëm përsynimet reale të pushtetarëve nga Prishtina”, thuhet në reagimin e tyre.
Plani i Qeverisë rreth vendimit për targa
Qeveria e Kosovës ka prezantuar një plan të ri për të zbatuar vendimin për targa, për të cilin kanë thënë se nuk nënkupton shtyrjen e tij.
Kryeministri Kurti në një konferencë për media, përmendi disa prej masave që do të ndërmerren krahas këtij plani.
Fillimisht, siç bëri të ditur ai, do të ketë “masa të qortimit”, pastaj “masa të gjobitjes”, ndërkaq në fund, konfiskim të veturave.
Kryeministri ka treguar edhe datat se deri ku do të zgjasin këto masa.
“Për 3 javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor masa do të jetë e qortimit. Nga 21 nëntori për 2 muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Kurti para gazetarëve ka theksuar se kjo nuk nënkupton që zbatimi i vendimit është shtyrë, por vetëm është shkallëzuar.
“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, e kemi shkallëzuar atë, dhe mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë tani. Në javën e parë të nëntorit e kemi Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet me kancelarin Scholz. Por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera të rëndësishme, për pozicionin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale, e cila vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, dhe gjitha këto na kanë bërë të mendojmë që zbatimin e vendimit ta përshkallëzojmë”, tha kryeministri.
Reagime nga opozita
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka ironizuar me vendimin e Qeverisë, duke pyetur se si i bie kjo çështje.
“Kjo puna e qortimit a po i bjen që kanë me ua thirrë prindërit a qysh. Kryeministër, mos humbë kohë me targa. Konteksti gjeopolitik është në anën tonë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër është e mundur nëse punojmë mençur dhe me maturi”, tha Çitaku.
Kjo puna e qortimit a po i bjen që kanë me ua thirrë prindërit a qysh 🤦♀️ Kryeministër, mos humbë kohë me targa....
Posted by Vlora Çitaku on Friday, October 28, 2022
Ndërkaq, ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka shkruar shumë shkurt, duke thënë se është mirë me dëgju Amerikën.
“Është mirë me e dëgju Amerikën”, ka shkruar ai.
Është mirë me e dëgju Amerikën 🇺🇸
Posted by Daut Haradinaj on Friday, October 28, 2022
Subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk është deklaruar ende në lidhje me tërheqjen e Qeverisë që zbatimi i vendimit për targat të fillojë nga e hëna e 31 tetorit.

