Kërcënimi ndaj Kosovës prej armatosjes së Serbisë: Flasin ushtarakët
Serbia në vazhdimësi po furnizohet me armë nga aleatët e saj Rusia e Kina, të cilët janë kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës. Madje, dje u raportua se ky shtet u pajisë me raketa të sofistikuara nga shteti kinez, teksa gjashtë avion ushtarakë u panë dje në aeroportin e Beogradit duke zbarkuar sisteme raketore tokë-ajër për forcat e ushtrisë serbe.
Përveç kundërshtarëve të perëndimit dhe të shqiptarëve, së fundmi Serbia po tenton të zgjerojë kapacitetet e saj ushtarake duke u furnizuar nga Turqia, shtet mik i Kosovës.
Shteti serb po planifikon të blejë dronët vdekjeprurëse “Bayraktar TB2” të Turqisë, të cilët tashmë konsiderohen si armë që influencojnë rrjedhën e luftës.
Për këtë çështje ka folur vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke treguar se kërkesën për blerjen e këtyre armëve ia ka miratuar presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan gjatë një takimi ditë më parë.
“Dy ditë më parë, gjatë takimit me presidentin e Turqisë, Erdogan, kam shprehur interesimin për të blerë Bayraktarët nga Turqia dhe Erdogan më ka premtuar se ne do t’i marrim ato. Do t’i kemi edhe këto armë në inventarin e Ushtrisë Serbe”, ka deklaruar Vuçiq për këtë çështje.
Ky furnizim i hovshëm i Serbisë, nga deputetë e ekspertë të sigurisë në Kosovë po shihet si rrezik dhe burim potencialisht destabilizues për Kosovën e Ballkanin.
Ish komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati në një prononcim për Gazetën Nacionale ka thënë se armatosja e vazhdueshme e Serbisë është kërcënim, jo vetëm për Kosovën, por për Ballkanin për përgjithësi.
“Kjo është një tregues shumë i qartë se Serbia dëshiron destabilizim, se përndryshe nuk armatoset”, ka thënë Kastrati.
Ish kreu i FSK-së, shitjen e dorënëve e sheh si të drejtë të Turqisë, mirëpo Kastrati thotë se këtu duhet reagim të bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me armatimin e Serbisë.
“Turqia ka të drejtë të i shet çdo kujt armë, kush ka para e kush shpreh dëshirë e gatishmëri me ble armatime, dronë e pajisje tjera ushtarake. Unë nuk e shoh si gabim të Turqisë këtu, por gabimi është i Bashkimit Evropian e i NATO-s dhe i SHBA-së që nuk bën presion më të madh mbi Serbinë që ajo mos të armatosët apo mos të stërarmatoset”, tha Kastrati për Nacionale.
Rreth kësaj çështje ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Enver Dugolli, i cili ka thënë se armatosja e Serbisë është shqetësuese për sigurinë e Kosovës.
“Çështja e blerjes së armatimit apo e kontarktimit të ndonjë armatimi në këtë radhë edhe e dronëvë, është çështje e brendshme e Turqisë e cila me siguri që do ta konsideron apo e konsideron për secilin shtet që shpreh synime të blerjeve. Por për neve është pak e çuditshme dhe jo e pranueshme qasja e Serbisë me këtë garën e armatimit, sepse nëse shikohet në retrospektivë, Serbia është militarizu më së shumti në Ballkan, pra është shteti me më së shumti armatim e më së shumti investime. Dhe shtrohet pyetja pastaj; prej kujt po frikësohet Serbia? Dhe del përgjigja se nuk është ajo e kërcënuar nga askush, por qëllimi i saj mbetet që në një moment të caktuar ajo të veproj karshi atyre pretendimeve që i ka ndaj Kosovës dhe fqinjëve të saj”, tha Dugolli.
Ndërkaq, eksperti për siguri, Drizan Shala, i ka thënë Nacionales se në lidhje me mundësinë e furnizimit serb me dronët turq, Kosova duhet të procedojnë notë proteste drejtë Ministrisë së Jashtme të Turqisë.
Por, krahas saj, Shala thotë se edhe Kosova duhet ta formojë njësitin e saj të dronëve.
“Në raport më Dronet Kosova duhet sa më parë të formojë njësinë e saj të dronëve dhe të kërkojë modele nëse jo të Turqia te marr nga Izraeli dhe SHBA-të e në anën tjetër të procedojë një notë proteste drejtë MPJ të Turqisë në lidhje me kërcënimin që mund të kanoset Kosova”, thotë Shala.
Nacionale ka dërguar pyetje në Kryeministri në lidhje me qëndrimin e qeverisë për furnizimin e Serbisë me dronët nga Turqia, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
E për Qeverinë ka folur Dugolli, duke thënë se ekzekutivi duhet të jetë vigjilent dhe të zgjerojë kapacitetet ushtarake të Kosovës.
“Duhet të merret shumë seriozisht kjo ofanzivë e Serbisë, dhe Kosova duhet të jap buxhet shtesë e të paraqesë prioritet mbi prioritete aspektin e sigurisë kombëtare dhe institucioneve që merren me siguri kombëtare, dhe këtu ka të bëjë me inteligjencën, ushtrinë dhe policinë e Kosovës”, i tha Nacionales ish komandanti i FSK-së.
Për nevojën urgjente të kapaciteteve shtesë është i mendimit edhe Shala duke theksuar se rritja e buxhetit ushtarak duhet të jetë prioritet i Qeverisë Kurti.
“Duhet edhe që në një periudhë afatshkurtër të përmbyllet edhe procesi i transformimit të FSK në FAK duke ruajtur edhe stabilitetin e saj financiar”, thotë Shala.
Ndërkaq, Qeveria së Kosovës kishte rritur buxhetin për FSK-në, për vitin 2022, në 100 milionë euro.
Mirëpo, buxheti i FSK-së, është aktualisht sa një e nënta e buxhetit të ushtrisë së Serbisë, e cila me rishikimin e fundit të buxhetit e rriti shumën prej 391.2 milionë euro në raport me planifikimet paraprake buxhetore.
Me këtë rritje, buxheti i Serbisë për Ministrinë e Mbrojtjes tashmë ka arritur në 1.2 miliard euro.
Gjithashtu Serbia konsiderohet fuqia më e fortë ushtarake në Ballkanin Perëndimor dhe në nivelin global është në pozicionin e 61-të me një indeks prej 1.0063, sipas listës për vitin 2021, të botuar nga organizata Global Firepower.
Kurse Ushtria e Kosovës vazhdon të mos ketë në artilerinë e saj të rëndë dhe helikopterë në ndërkohë që Serbia synon vazhdimisht zgjerimin e saj në mjete ushtarake.
Për mungesën e këtyre kapaciteteve ushtarake, Kurti kishte thënë se para mjeteve ushtarake, në ushtri më i rëndësishëm është morali i ushtarëve.