Kërcënimet nga grupet terroriste serbe mobilizojnë Policinë, marrin në mbrojtje të afërt Krasniqin dhe Abdixhikun
Vendimi i Policisë së Kosovës që të angazhojnë mbrojtje të afërt policore për kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe politikanë tjerë të subjekteve politike parlamentare ka të bëj me kërcënimet e shumta të grupeve terroriste serbe ndaj politikanëve shqiptarë në Prishtinë.
Burimet e gazetës Nacionale brenda Policisë së Kosovës kanë bërë me dije se pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit këto kërcënime janë shtuar.
Kjo ka bërë që Policinë e Kosovës të angazhojë mbrojtje të afërt policore për liderët politik në fjalë.
“Memli Krasniqi, Lumit Abdixhiku dhe politikanë tjerë shqiptarë në këtë kohë të brishtë sigurie, sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë, kanë qenë target i grupeve të dyshuara terroriste nga Serbia. Si pasojë Policia ka vendosur të shtoj mbrojtjen e afërt”, ka thënë burimi i gazetës Nacionale.
Të dy partitë opozitare kanë pranuar se tashmë Krasniqi dhe Abdixhiki janë nën mbrojtje të afër të policisë. Megjithatë, ata nuk kanë treguar arsyet se pse kanë ndodhur këto veprime të Policisë së Kosovës.
"Po, me rekomandim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i është ofruar një ekip i mbojtjes së afërt të Policisë", ka deklaruar për Nacionalen drejtor i Komunikimit në PDK, Valmir Klaiqi.
Po ashtu, zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka konfirmuar se edhe kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, i është ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës.
Nga ana tjetër, udhëheqësi i Njësisë për Vlerësimin e Rrezikshmërisë në Policinë e Kosovës, Ismet Jashari, ka konfirmuar se patrullat e mbrojtjes së afërt të Policisë janë vendosur tek të dy liderët opozitarë, por nuk ka dhënë detaje rreth arsyes së ofrimit të kësaj mbrojtjeje.
“Po, është e vërtetë se i kemi ofruar mbrojtje. Nuk mund mund të flas sepse këto të dhëna janë konfidenciale”, ka thënë Jashari për Reporteri.net.
Lajmi në përditësim...