Kelmendi: PDK-ja dhe LDK-së janë konsistente në qëndrimet e tyre, topi është te Kurti
Gazetari Adriatik Kelmendi ka komentuar ftesën e kryetari ttë VV-së, Albin Kurti, për takim me kryetarin e PDK-së dhe të LDK-së.
Ai ka bërë me dije se këto dy parti janë konsistente në qëndrimet e tyre.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kelmendi ka shkruar se tani topi është të Albin Kurti.
“LDK-ja nuk ia ka asnjë borxh Kurtit. Për herë të parë Kurti ishte bërë kryeministër me votat e LDK-së. Pas vetëm disa ditësh ua kishte shkarkuar një ministër pa asnjë konsultim, ndërkohë që për mbi 4 vjet Kurti nuk e ka shkarkuar asnjë ministër të LVV-së, ndonëse disa kanë gëluar në skandale dhe dyshime korrupsioni. LDK-ja ia kishte mundësuar Kurtit vazhdimin e qeverisjes, duke siguruar kuorumin për votimin e Osmanit Presidente, gjë që ndihmoi çuarjen e mandatit deri në fund. Çka u arrit?! Sipas LDK-së, dhe jo vetëm, Kurti dështoi. Për këtë arsye, qëndrimi i LDK-së është shumë parimor: Mos llogaritni në asnjë votë të LDK-së për asgjë. I tha jo ftesës së parë pas zgjedhjeve, me konsistencë u refuzua Kurti edhe herën e dytë”, ka shkruar ai, duke shtuar se krejt ndryshe është situata me PDK-në.
“Krejt ndryshe është situata me PDK-në. PDK-ja bëri mirë që tha - po. Edhe në këtë qëndrim të PDK-së ka konsistencë. Krasniqi kishte takuar Kurtin edhe vitin e kaluar, vetëm, për caktimin e datës së zgjedhjeve. PDK-ja, po ashtu, asnjëherë s’ka thënë s’votojmë askë të LVV-së për kryetar Kuvendi. Kanë thënë s’votojmë me imponim dhe s’votojmë pa marrëveshje. Edhe nesër këtë mund të llogarisin. Ta bindin Kurtin se nuk mundet vetëm, nuk mundet vetë dhe nuk mundet pa marrëveshje. Topi është te Kurti!”, ka shkruar Kelmendi.