Kelmendi: Nëse Limaj bëhet kryeparlamentar, ky do të ishte rikthimi më spektakular në historinë e politikës kosovare - NACIONALE

Kelmendi: Nëse Limaj bëhet kryeparlamentar, ky do të ishte rikthimi më spektakular në historinë e politikës kosovare

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Gazetari Adriatik Kelmendi ka komentuar lëvizjet politike të kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj.

Ai ka vlerësuar se nëse Limaj arrin të bëhet kryeparlamentar ky do të ishte rikthimi më spektakular në historinë e politikës kosovare.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kelmendi ka shkruar se Limaj është një superlojtar.

“Fatmir superlojtari! Fatmir Limaj ka qenë më i kritikuari dhe më i shigjetuari nga të gjitha partitë politike në Kosovë. Edhe ish-partia e tij PDK-ja e kishte përjashtuar dhe ekskomunikuar. LVV-ja dhe LDK-ja s’kishin lënë gjë pa i thënë. Gjykatat vendore dhe ndërkombëtare mbi qafë gjatë gjithë kohës. Pas 7 vjetësh rikthehet në Kuvend, me rezultatin më minimal të mundshëm - 3 deputetë. Por 3 deputetë të cilët ia lakmojnë të gjithë - paramendojeni! - edhe Albin Kurti 48-deputetësh”, ka shkruar ai, duke folur për rendësin e deputetëve të Nismës.

“Albini, i bllokuar (i dorëzuar?), shihet i gatshëm minimalit Fatmir 3-deputetësh t’ia japë një prej tri posteve më të rëndësishme në vend. Kryeparlamentarin. Nëse kjo i shkon përdore Fatmirit, ky do të ishte rikthimi më spektakular dhe kapitalizues në historinë e politikës kosovare. Jeta (politike) shkruan romane të bukura!”, ka shkruar Kelmendi.

Lajme të ngjashme