KEK-Skandali: Ish anëtari i Bordit tregon pse ishte pezulluar konkursi famëkeq më 2020
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po quhet me tallje ditëve të fundit si “Korporata Energjetike e Kurtit” për shkak të punësimeve të shumta të familjarëve të anëtarëve dhe vetë anëtarëve të Vetëvendosjes. Por, pse shpërtheu kaq dhunshëm nepotizmi në këtë parti dhe cila është e vërteta për këtë konkurs?
Qeveria Kurti II ka pasur telashe serioze në rekrutimin e stafit për ta bërë qeverinë. Por, duket se interesi për të punuar në KEK është më i madh. Joshja me KEK-un del të jetë e lidhur me pagën – e cila bashkë me mëditje – për një punëtor të thjeshtë shkon deri në 1 mijë euro (e disa na thanë edhe në 1500).
Në qendër të këtij skandali është deputeti me nam të madh nga Vetëvendosje, Halil Thaçi, i cili dje megjithatë e pranoi – siç kishte raportuar edhe Nacionalja, dje – punësimin e të paktën një nipi. Në fakt, punësimet kapin shifra alarmante dhe Thaçi është vetëm një ndër personat e përfshirë në skandalin që po hetohet tashmë nga Prokuroria.
Për ta kuptuar më mirë procesin, e kontaktova z. Fadil Hoxha – të cilin e njihja për analizat e tij politike – që kishte qenë pjesë e bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës. Kjo është biseda që bëmë me të.
NACIONALE:
Ju keni shkruar se si bord kishit rekomanduar pezullimin e konkursit në fjalë. A mund të na thoni se çfarë indikacionesh kishit se mund të ndodhnin manipulime?
Z. HOXHA:
Bordi i emëruar nga qeveria Hoti në tetor 2020 në KEK kishte rekomanduar pezullimin e një konkursi për pranimin e 170 të punësuarve. Arsyeja ka qenë që KEK-u në atë kohë ka qenë në proces të ristrukturimit dhe se për këtë ishte angazhuar një kompani ndërkombëtare konsultuese e cila do të bënte propozimin për ristrukturim. Në këto kushte nuk kishte logjikë që të shpallej një konkurs pa finalizim të procesit të ristrukturimit. Bordi thjesht ka shmangur një proces të mundshëm të manipulimeve duke mos paragjykuar asgjë.
NACIONALE:
Edhe një herë për konkursin, që ta kuptojmë më mirë: për çka po bëhet fjalë saktësisht? Çfarë pune, çfarë rrogash, çfarë pozitash?
Z. HOXHA:
Bordi nuk është marrë me detajet e konkursit por ishte informuar se konkursi ishte shpallur në përgjithësi për pozita të aspekteve teknike.
NACIONALE:
Si analist politik, si i shihni këto punësime? A tregojnë për kapje privilegjesh, apo edhe për skena të përgatitura punësimi si në formë të klientelizmit?
Z. HOXHA:
Si analist mund të them se është e qartë që punësimet e fundit në KEK janë për nevoja klienteliste të pushtetit aktual. Ka pasë kërkesa për punësime nga ana e menaxhmentit qysh në kohën sa kam qenë në Bod të KEK-ut, në vitni 2020 dhe 2021, ndonëse ishin arritur rezultate rekorde me gjithë mungesat e stafit për shkak të pandemisë Covid-19. Këto kërkesa nuk janë pranuar nga ish-Bordi pa u kryer procesi i ristrukturimit.
NACIONALE:
Meqë punësimet partiake e familjare ishin edhe në të kaluarën problem i madh i politikës tonë, a vlerësoni që do të ishte e duhur një nismë në formë memorandumi nga partitë që aktivistët e tyre të mos punësoheshin në ndërmarrje publike edhe nëse kanë ekspertizë përderisa partia e tyre është në pushtet?
Z. HOXHA:
Nuk besoj që çështja e nepotizmit rregullohet me memorandume por duke zbatu ligjin ashtu që organet hetuese të merren me këso rastesh kur ka indikacione se po ushtrohet nepotizëm gjatë procesit të rekrutimit të stafit në ndërmarrje publike.