Kasanof: Beogradi do të jetë ndalesa ime e parë në Ballkanin Perëndimor, duam progres në dialogun Kosovë - Serbi
Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të thellojnë bashkëpunimin me Serbinë, duke shtuar se projekti i litiumit është shumë i dobishëm dhe se Uashingtoni dëshiron të shohë përparim në dialogun mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Kasanof, i cili ka marrë këtë pozitë në mesin e korrikut duke zëvendësuar Gabirel Escobar, ka bërë këto deklarata gjatë një paneli në Uashington.
“Qytetarët e Serbisë janë spektikë për shkak të qasjes së mëparshme të ShBA-së. Ne duam ta thellojmë bashkëpunimin me Serbinë, në Ballkanin Perëndimorë dhe zonën euro-atlantike. Në Ballkanin Perëndimor ka aleanca që ShBA i mbështet, dhe Serbia i udhëheq ato iniciativa. Projekti i litiumit mund të jetë shumë domëthënës sa i përket investimeve të reja, do ta ndihmojë Serbinë, por edhe shtetet e tjera, sepse do të lidhë ekonomitë në rajon.” – ka thënë ai sipas “Zërit të Amerikës”.
Duke folur për sfidat në periudhën në vazhdim, Kasanof ka përmendur këtu dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ne duam të shohim progres atje. ShBA dëshiron të bashkëpunojë me Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë që të shoh progresin që do të kontriubojë edhe në rajon. Ka dy lloj perspektivash në lidhjen e ShBA-së me Ballkanin. Njëra është e bazuar në narrativë dhe tjetra në fakte. Ekziston një narrativë në mesin e organizatave joqeveritare se Serbia është antiperëndimore dhe një pasardhës rus, dhe nga ana tjetër, ekziston një narrativë se Serbia e ka tradhtuar Rusinë.” – citohet të ketë thënë zyrtari amerikan tutje.
Mes tjerash, Kasanof ka deklaruar se është e rëndësishme që Serbia, në bashkëpunim me BE-në dhe ShBA-në, kujdeset që “mos të ketë kthim në nacionalizëm”.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj skenareve të tilla. Kjo mund ta kërcënojë potencialin e bashkëpunimit. Partneriteti me Serbinë dhe dialogu i sinqertë mund të kontribuojë në tejkalimin e këtyre sfidave dhe realizimin e vizionit të bashkëpunimit euro-atlantik.” – ka paralajmëruar ai.
Po ashtu raportohet se emisari amerikan gjatë kësaj paraqitje, ka paralajmëruar se Beogradi do të jetë ndalesa e tij e parë gjatë vizitës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Beogradi do të jetë ndalesa e parë në rajon. Do të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit dhe partneritetit të ngushtë. Do të flasim për zhvillimin e marrëdhënieve tona, dhe se sa larg do të donim që të shkonte partneriteti. Nga temat ekonomike, te ato politike. Kemi publikuar rekomandime për relaizimin e partneritetit strategjik mes ShBA-së dhe Serbisë.” – ka thënë në fund ai.
Theksojmë se në fillim të këtij muaji, Kasanof zhvilloi një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në lidhje me takimin, ambasada amerikane në Kosovë njoftoi:
“Në Forumin GlobSec të Pragës sot DAS Alexander Kasanof dhe Presidenti Vjosa Osmani diskutuan për një numër çështjesh kyçe, përfshirë veprimet e pakoordinuara të së premtes nga Qeveria e Kosovës dhe rëndësinë e konsultimit me bashkësinë ndërkombëtare. Ne vlerësojmë përkushtimin e presidentes Osmani për koordinim të tillë, i cili është thelbësor për të avancuar trajektoren evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe për të arritur stabilitetin rajonal, normalizimin dhe integrimin ekonomik. ShBA mbetet e përkushtuar për një Kosovë sovrane, multietnike, demokratike”.