“Kanë pjesëtarë të përgatitur” – Sveçla tregon pse u shpallën organizata terroriste Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka folur në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ku Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut u shpallën organizata terroriste.
Sveçla ka thënë se me këtë vendim bëhet ndarja e qartë mes qytetarëve dhe grupeve terroriste.
Ai tha se kanë pasur informata që këto grupe kanë anëtarë të përgatitur për sulme terroriste.
“Duke u thirrur në analizat e vlerësimet e sigurisë nga institucionet jemi informuar se terrorizmi është prezentë në pjesën veriore të Mitrovicës. Kemi informacione të sakta se grupe që janë të identifikuara, kanë kryer akte terroriste në pjesën veriore të vendit: si sulme ndaj zyrtarëve e objekteve të KQZ-së, sulme të armatosura ndaj Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të KFOR-it e të EULEX-it. Djegie e veturave me targa legale RKS. Sulme e kanosje ndaj kundërshtarëve politikë. Trafikimi dhe posedimi i armatimit me qëllim të kryerjes së sulmeve terroriste. Sulme ndaj gazetarëve e punonjësve të mediave”, tha ai, raporton Nacionale.
“Këto grupe me strukturë të organizuar kanë pjesëtarë të përgatitur për akte terroriste me burime financiare të mjaftueshme për realizimin e qëllimeve të tyre. Qëllimet e tyre janë destabilizimi i rendit kushtetutës të Kosovës. Këto grupe kërcënojnë sigurinë shtetërore me veprime të ndërmarra brenda territorit, por edhe jashtë”, deklaroi ai.
“Në mënyrë të menjëhershme ndalohet veprimtaria e grupeve të listuara në vendimin e qeverisë. Veprimtaria e tyre është e paligjshme dhe do të ndëshkohet me ligjet në fuqi. Institucionet do të ndërmarrin veprime adekuate në përputhje me kornizën ligjore e praktikat ndërkombëtare” tha Sveçla.