Kandiq për deklaratën e ambasadorit rus: Rusia do të votojë pro Kosovës në OKB, nëse Serbia i vendos sanksione - NACIONALE

Kandiq për deklaratën e ambasadorit rus: Rusia do të votojë pro Kosovës në OKB, nëse Serbia i vendos sanksione

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Natasha Kandiq, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, përmes një postimi në Twitter ka komentuar deklaratën e ambasadorit rus në Serbi, Aleksandar Bochan- Kharchenko.

Kandiq thotë se deklarata e tij duhet të merret si një paralajmërim për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se nëse ai vendos sanksione ndaj Rusisë, kjo e fundit do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në OKB.

“Mesazhet e djeshme të ambasadorit rus në Beograd janë më shumë një paralajmërim për Aleksandar Vuçiqin se Rusia do të votojë në Këshillin e Sigurimit për anëtarësimin e Kosovës në OKB nëse Serbia vendos sanksione dhe jo se qëndrimi i Rusisë do të varet nga vendimi i Vuçiqit, siç tha ai”, ka shkruar Kandiq në Twitter.

Kujtojmë deklaratën e Ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Bochan-Kharchenko, i cili në një intervistë të enjten është pyetur se në çfarë kushte do të pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Për agjencinë serbe “Beta”, ai tha se aktualisht Rusia nuk e njeh Kosovën dhe se në rrethanat e tilla nuk mund të zgjidhet “çështja e saj”.

“Tani është e pamundur t’i përgjigjemi pyetjes suaj, sepse askush nga ne në këtë moment nuk e di se si do të zgjidhet përfundimisht çështja e Kosovës. Çështja e Kosovës do të zgjidhet në kushte të tjera gjeopolitike që do të lindin pas përfundimit të konfliktit mes Perëndimit të përbashkët dhe Rusisë. Në kushtet aktuale gjeopolitike, nuk është e mundur një zgjidhje afatgjatë për disa çështje të hapura rajonale, përfshirë Kosovën”, theksoi ambasadori rus.

Lajme të ngjashme