Kancelari i Gjermanisë në Kosovë, pritet me ceremoni shtetërore nga kryeministri Kurti
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka arritur në Kosovë. Fillimisht ai është pritur në Aeroportin “Adem Jashari” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Një pritje shtetërore kancelarit Scholz i është bërë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ministra të qeverisë Kurti II dolën në pritje të kancelarit të Gjermanisë.
Pas takimit që do ta kenë, kryeministri Kurti e kancelari Scholz do të dalin edhe në një konferencë për media, raporton gazeta Nacionale.
Dialogu Kosovë-Serbi, liberalizimi i vizave dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor pritet të jenë disa nga temat kryesore për të cilat do të diskutojnë Kurti e Scholz.

Pas Kosovës, ai do të qëndrojë edhe në Serbi, Greqi, e vende tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kjo është vizita e parë e Olaf Scholz në Kosovë, si kancelar i Gjermanisë. Përderisa një takim me kryeministrin Kurti, ai e kishte pasur para një muaji në Berlin.
“Objektivi i dialogut të Brukselit [midis Kosovës dhe Serbisë] është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme, midis dy vendeve, që u hap të dyja vendeve perspektivën e [anëtarësimit në] Bashkimin Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, kishte thënë Scholz në një konferencë për media në Berlin.
Kurti, në anën tjetër, ishte shprehur se “njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit” të negociatave me Serbinë.
Ai tha se Kosova është “proaktive dhe konstruktive” në dialog dhe se po bën propozime që janë në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Ne jemi të përkushtuar për të arritur rezultate konkrete shpejt dhe në bashkëpunim të plotë”, tha Kurti në konferencën e përbashkët për media me kancelarin gjerman.
Scholz tha se është e rëndësishme që, në kohën kur Rusia po bën luftë në Ukrainë, Prishtina dhe Beogradi të punojnë që t’i zgjidhin mospajtimet.
Ai, po ashtu, u zotua se do të punojë me partnerët e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Sa u përket periudhave kohore, ne nuk mund ta themi, sepse kjo varet nga organe të tjera, por ne jemi të interesuar që kjo të ndodhë shpejt”, tha Scholz.