“Kam parë njerëz të plagosur që rrokulliseshin në rrugë”, deklaratat e dëshmitarëve për sulmin që tronditi Turqinë
Në zonën thuajse me të frekuentuar në Stamboll, në Sheshin Taksim, të dielën e 13 nëntorit u dëgjua një shpërthim. Si pasojë të paktën gjashtë persona raportohet të kenë humbur jetën e 81 të tjerë janë të plagosur të cilët po trajtohen në spitalet shtetërore të Turqisë. Sulmi ndodhi rreth orës 16:20 sipas kohës lokale. Për sulmin si i dyshuar është arrestuar një person, bën me dije Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu.
Ai të hënën në mëngjes ka bërë të ditur se është arrestuar një person i dyshuar se kishte lënë bombën në Stamboll të dielen e 13 nëntorit. Ministri sipas raportimeve e ka akuzuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) për përgjegjësi.
Por çka dihet deri më tani për sulmin që tronditi Turqinë të dielën?
Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, tha se autoritetet e konsiderojnë shpërthimin në Stamboll, ku humbën jetën të paktën gjashtë persona, si një sulm terrorist, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

“Ne e konsiderojmë atë si terrorizëm sepse sulmuesi, për të cilin besojmë se është një person femër, shpërtheu bombën”, tha Oktay.
Në anën tjetër presidenti I Turqisë pak orë pas këtij sulmi, thirri konferencë të jashtëzakonshme për medie. Ai sulmin e cilësoi si ‘të poshtër’ duke siguruar se keqbërësit do të ndëshkohen.
Duke folur në një konferencë për media në Stamboll, Erdogan tha se këtij sulmi po i “vjen era terror”.
“Mund të jem gabim nëse e them se jam i sigurt se ky është terror, por sipas shenjave të para.... ka një erë terrori në këtë ngjarje”, tha Erdogan gjatë një konference për media.

"Përpjekja për të sunduar Turqinë dhe popullin e Turqisë përmes terrorizmit nuk do të jetë e mundur të arrihet as sot, e as nesër", shtoi ai.
Sipas liderit turk, katër persona vdiqën në vendin e ngjarjes dhe dy në spital.
Çka deklaruan dëshmitarët për sulmin?
E tham më lartë që Taksimi është njëra ndër zonat më atraktive për turistët e huaj që e vizitojnë Stambollin. E sulmi ndodhi pikërisht në këtë zonë.
Dëshmitarët folën për mediat e huaja për terrorin që ata thonë se e panë.
Një grua, që ishte në një dyqan në rrugën Istiklal, tha se pas shpërthimit kishte kaos.
“Kam parë njerëz të plagosur që rrokulliseshin në rrugë”, tha ajo për BBC.
“Njerëzit filluan të vraponin në panik... Ka pasur tym të zi. Zhurma ishte e fortë, pothuajse shurdhuese”, tha një tjetër dëshmitar, Cemal Denizci, për agjencinë AFP.

Rruga Istiklal, ku ndodhi sulmi, edhe më herët kishte qenë cak i sulmeve vetëvrasëse me bomba më 2016. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, pesë prokurorë janë caktuar që ta hetojnë këtë ngjarje.
Stambolli vizitohet shumë nga kosovarët, çka deklaroi Ambasada e Kosovës në Turqi?
Ambasada e Kosovën në Ankara, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se asnjë shtetas i Kosovës nuk është as viktimë dhe as i lënduar.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara njofton se në bazë të informatave të siguruara nga autoritetet relevante të Republikës së Turqisë, në mesin e viktimave dhe të lënduarve nuk gjendet asnjë shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje nga ambasada kanë kërkuar për të gjithë kosovarët që ndodhën në Stamboll, të qëndrojnë vigjilentë dhe t’i ndjekin këshillat e autoriteteve lokale të sigurisë.
Ata gjithashtu kanë publikuar numrin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll për rast nevoje. +90 (531) 105 63 91

Turqia ndaloi transmetimin e pamjeve dhe pasojat e shpërthimit
Rregullatori turk i medias ka ndaluar përkohësisht mediat lokale të shfaqin pamjet e momentit të shpërthimit, si dhe pasojat e tij.
Siç raporton AP, Komiteti i Radios dhe Televizionit Turk ka vendosur më parë ndalime të ngjashme pas sulmeve, aksidenteve dhe disa ngjarjeve politike.
Në vitin 2016, një sulm terrorist nga një kamikaz ndodhi në rrugën Istiklal të Stambollit.
Turqia tashmë ka filluar hetimet
Sipas informacionve, Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit nisi një hetim për terrorizëm.

Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit nisi një hetim për sulmin në rrugën Istiklal. Ndërkohë që u caktuan 5 prokurorë, u ndalua transmetimi për pamjet e shpërthimi.
“Sot për shkak të shpërthimit në sheshin e rrugës Istiklal ka nisur hetimi nga Kryeprokuroria jonë e Stambollit dhe janë caktuar 5 prokurorë publikë", thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Shtetit

