Kallas mirënjeh “investimin” e Borrellit në dialog: S’jep shenja për ndërrim kursi siç pret qeveria
Pararendësit e mi kanë investuar shumë në atë proces.
Vetëm kaq kishte për të thënë pasuesja e Josep Borrell, Kaja Kallas, e cila pritet të konfirmohet përfundimisht në postin e Përfaqësuses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sihguri e Bashkimit Evropian.
Kur liderë kosovarë kanë investuar aq shumë pritshmëri te Kallas, si një ish-kryeministre me të cilin kanë kultivuar marrëdhënie të ngrohta dhe e kanë dhënë për diskursivisht të afërt: Kallas s’dha omen të devijojë nga pararendësi i saj, Josep Borrell, në rrafshin e dialogut Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve.
Borrell – të cilin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka denoncuar për “kolludim me Rusinë” në detriment të Kosovës (shtator, 2023: kishte dërguar letra në Departament të Shtetit, Kancelari të Gjermanisë, Presidencë të Francës e në Kryeministri të Italisë) – del të jetë kontura brenda të cilës do të vazhdojë Kallas.
Çfarë tha Kallas?: “Shtegu i dytë është dialogu Kosovë-Serbi, ku të gjithë paraardhësit e mi kanë investuar shumë kohë për të sjellë stabilitet në rajon”, ka thënë Kallas.
Borrell, nisja, procesi, kritikat
Gjatë mandatit të tij, Borrell ishte ndërmjetësi dhe kumbara i Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit – e cila supozohet të prodhojë dy gjëra si normalizimi fillestar i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një: njohje jo-formale mes dy shteteve – çka është interpretuar të jetë njohje “de facto”. Dy: Sigurimi i një autonomie politike-territoriale për komunat të banuara me shumicë serbe për çka edhe është prodhuar një dokument.
Tek më vonë: Albin Kurti shtoi kushtin e nënshkrimit formal-bilateral dhe deponimin e atij teksti në Këshill të Sigurimti të OKB-së; për të vazhduar me kusht-pas-kushti si dorëzimi i Milan Radojçiq dhe tërheqjen e një letreje të Ana Brnabiq.
Ndërmjetësi përveç se është akuzuar nga udhëheqësit e shtetit kosovar si “i njëanshëm” dhe “në favor të Serbisë” është dhënë edhe si dikush që Kosovën nuk e konsideron për palë të barabartë me Beogradin; e për më tepër, si dikush që sysnon “të jetësojë vetëm gjysmën e marrëveshjes”, përkatësisht vetëm Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe.
Para mëse një viti Albin Kurti në një intervistë për median estoneze “Delfi” do të shprehej se ndërmjetësit Beogradin e kanë sipër Kosovës në trajtim.
“Nominalisht na trajtojnë të barabartë me Serbinë, por jo edhe në thelb”, qe shprehur ai duke e vetëpërmbysur proklamimin se me qeveritë paraprake Kosova ishte “objekt e jo subjekt në tryezë” dhe se me ardhjen e tij Kosova ishte ngritur “në palë të barabartë”.
Krejt kjo kishte emër: Borrell – e që zyrtarë të Vetëvendosjes ia shtrembëronin deri në fyerje emrin si “Vorrell”.
Pritshmëritë për Kallas
Diskursi i saj i zjarrtë kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës ka qenë i njëjtë me të qeverisë kosovare, për çka është parë si një njohëse e mirë e autokracisë dhe rrezikut rus për kontinentin evropian: po ashtu edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ndonëse qeveria kosovare ka parë një prospekt të mirë nga ardhja e saj, komentatorë të kualifikuar politikë s’kanë pasur pritshmëri të mëdha veçse përsëritjen e refrenit të etabluar për zbatim të Marrëveshjes Bazike/Ohrit që përkthehet në themelim të Asociacionit nga Kosova si dhe njohje të dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia – e interpretuar si “njohje de facto”.