Kajtazi: Është e pamundur të organizohen zgjedhjet në veri
Gazetari dhe analisti Vehbi Kajtazi mendon se nuk do të ketë zgjedhje në katër komunat veriore për shkak se sipas tij për arsye të sigurisë është e pamundur të organizohen ato dhe se Lista Serbe nuk është pjesëmarrëse në to.
Kajtazi tha në Klan Kosova se zgjedhjet do t’i bojkotojnë edhe qytetarët serbë, pasi siç shtoi, nuk beson se ata do të votojnë një kandidat tjetër apo një kandidat shqiptar.
“Nëse mendon dikush se me polici e njësi speciale të organizojë zgjedhje e t’i quajë demokratike është e pamundur. Nuk do të ndodhë kjo”, ka thënë Kajtazi.
Kajtazi tha se është për keqardhje deklarimi i sotëm i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, se në veri ka kapacitete të mbahen zgjedhjet dhe se policia është e gatshme t’i kryej detyrat e saj.
“Sveçla po flet për individë, që po jep informacione se ne e dimë se kush janë ata, por pyetja është se pse s’po arrestohen ata njerëz. Pra, ata qenkan policë të Kosovës që janë të përfshirë në këto akte kriminale të dëmtimit të institucioneve”, është shprehur Kajtazi.
