Kadrijaj: Qeveria Kurti është qeveria më jotransparente që ka pasur Kosova
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka vlerësuar se Qeveria Kurti ka dështuar në të gjitha fushat.
Në dy-vjetorin e Qeverisë Kurti, ajo ka thënë se kjo është qeveria më jotrasparente që ka pasur Kosova.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Kadrijaj ka thënë se dështimet e kësaj qeveria janë si në planin e jashtëm ashtu edhe në atë të jashtëm.
“Është Qeveria më jotransparente, është jollogaridhënëse. Ka dështuar në shëndetësi, kur kemi një person për të tretën herë po vendoset nga Albin Kurti si ministër i Shëndetësisë dhe nuk i kemi tri rezultate të këtij ministri. Mos të flasim për Politikën e Jashtme, ne shohim se kemi ngecje, nuk kemi asnjë njohje të re e as anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe kemi bllokim dhe prapakthim. Kemi edhe lëndime të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët tanë që e kanë përkrahur Kosovën në procese të ndryshme”, ka thënë Kadrijaj.
Duke marrë parasysh numra që Qeveria ka, ajo ka vlerësuar se qeveria aktuale është dashur të ketë shumë suksese.
“Duke e parë Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti premtimin që e ka bërë, ka marrë përkrahje të madhe popullore e që për herë të parë në historinë e pasluftës që ka fituar më shumë se 50 për qind të votave dhe që ka një Qeveri që udhëhiqet pa ndonjë parti në koalicion e që ka një shumicë parlamentare në Kuvend. Në rrethana të tilla, kjo Qeveri është dashur të ketë suksese të njëpasnjëshme sepse nuk ka pasur ndonjë pengesë në rrugëtimin e tij, sepse shpesh herë kur Qeveritë janë me koalicione, atëherë vetvetiu ka ndonjë pengesë ose ka mospajtueshmëri rreth çështjeve të ndryshme”, është shprehur Kadrijaj.