“Ka qenë kontabilist, jo ushtarak”: Arsyetimi banal i Qeverisë Kurti për zv.ministrin Radomiroviq
Dje gazeta Nacionale raportoi në lidhje me një rast skandaloz. Radoica Radomiroviq nga Leposaviqi, dikur pjesëtar i ushtrisë jugosllavë gjatë luftës në Kosovës, është emëruar zëvendësministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Radomiroviq foli në lidhje me këtë temë, duke theksuar se nuk ka turp nga e kaluara e tij dhe se nuk ishte pjesë e operacioneve ushtarake. Njëjtë foli edhe Qeveria e Kosovës.
Arsyetimi i Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, dikur lider nacionalist, është krejtësisht banal. Në një përgjigje për RTV Dukagjini, Qeveria Kurti e pranoi se Radomiroviq ishte pjesë e ushtrisë jugosllave. Në një përpjekje të dëshpëruar për të arsyetuar këtë emërim skandaloz, Qeveria Kurti tha se ai ishte pjesë e ushtrisë jugosllave si kontabilist.
Tutje, Qeveria Kurti deklaroi se Radomiroviq nuk ishte pjesë e operacioneve ushtarake.
"Institucionet tona kanë verifikuar të gjitha të dhënat duke konfirmuar që ai nuk ka qenë i përfshirë në operacione ushtarake apo të ngjashme gjatë luftës në Kosovë. Ai ka bartur pozitën e kontabilistit në administratë si staf civil" – deklaroi Qeveria e Kosovës.
Ndryshe, sot Radomiroviq, siç raporton Insajderi, ka folur sërish për të kaluarën e tij në ushtrinë jugosllave edhe gjatë kohës së luftës në Kosovë.
“Çdo njeri i ndershëm nuk ka turp dhe frikë nga e kaluara e tij, sigurisht që të gjithë në zonën time e dinë që u kam paguar shujta rezervistëve.” – tha ai.
Çka raportoi Nacionale?
Siç u raportua dje, Nacionale kishte pranuar informacione përmes burimeve të saj se Radomiroviq “ka qenë pjesë e armatës serbo-jugosllave gjatë kohës së luftës në Kosovë”, por edhe në ato në mbarë ish-Jugosllavinë kur Sllobodan Millosheviqi, i njohur gjërësisht si kasap i Ballkanit, kishte shtënë në dorë tërë armatën jugosllave (JNA) për të kryer agresion, spastrim etnik e deri edhe në gjenocid, ndaj vendeve përbërëse të ish-Jugosllavisë.
Përveç anëtar i JNA-së, Radomorivoq, siç mësoi Nacionale, ka qenë deri kohëve të fundit pjesë e Mbrojtjes Civile, organizatë kjo tashmë e shpallur edhe zyrtarisht si terroriste nga Qeveria e Kosovës.
“Po kam qenë pjesëmarrës në luftën në Kosovë...por skam marrë pjesë në operacione luftarake”, - deklaroi dje Radomiroviq për Nacionalen, pyetur rreth këtyre informacioneve se ishte pjesë e JNA-së.
Zëvendës Ministri serb i emëruar nga Kryeministri Kurti, thotë se gjatë viteve 1998-1999 “kam punuar si civil në administratë në Kazermë në Mitrovicë” duke e mohuar të ketë marrë pjesë në operacione luftarake.
“Kam paguar mëditjet e rezervistëve”, deklaroi ai, duke shtuar se gjatë kohës sa po ndodhnin luftimet në Kosovës “kam qëndruar në Starom Trgu në Tunelin e Parë” në Mitrovicë. Radomorivoq deklaroi se për këto pohime të tij “kam të gjithë dokumentacionin e nevojshëm” për ta dëshmuar.
“Po. Jam pjesëmarrës në të gjitha luftat në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë më 1991-1992 (më pak se dhjetë muaj). Kam shërbyer si ushtar në JNA (Jugoslovenska narodna armija). Në ato luftëra fatkeqe ka pasur kroatë, myslimanë, por edhe shqiptarë e maqedonë në Pançevë në barrakadat e njësive speciale të JNA-së. Miku im i luftës, shqiptar nga Podujeva, Gëzim Mhemeti e pati humbur dorën në atë luftë. Kurrë s’e kam parë më, herën e fundit që e pash ishte në spital në Beograd”, ka shpjeguar Zëvendës Ministri, Radoica Radomiroviq.

