Ka humor…dhe humor
Të kërkosh Monty Python-at e standardin e tyre të komedisë është, fatmjerisht, si të kërkosh Oxford, Cambridge dhe Exeter midis Kosove. E pamundur, domethënë. Duam apo s’duam ta pranojmë, cilado formë e gjermësotme e humorit politik, sarkazmës a komedisë është e niveleve të Botës së Tretë. E qeshura nuk vjen nga zgjuarësia e humorbërësit dhe humormarrësit, por nga tallja me inferiorin dhe injorantin – tallje që nuk e ndal të qeshurën as kur shpalosen vuajtje fizike para syve tanë. Çuditërisht, është një panteon njerëzish e vlerash që janë të lejuar të gazmohen me humor (sado që përfundojnë të bullizuar e të fyer), dhe njerëz e vlera të tjera që nuk lejohet të ‘tallen’, ose tallja e tyre paguhet rëndë socialisht.
Col Mehmeti
Humori i dhjerë nuk është problem as për së afërmi nëse karshi tij është shija e retarduar.
Si për gjithçka tjetër, shija e keqe mjaftohet me çdo llumnajë kulturore e artistike.
Një humor i stërholluar e ka të pranëvendosur një standard kulturor që qesharaken e nxjerr përtej imitimeve e mimikërisë majmunçe.
Dy mijë e kusur vite më parë, Platoni me briskun e mendjes e shartoi teorinë e superioritetit në humor.
Në thelb të saj ishte ai soj humori që vjen duke vënë në lojë fatkeqësitë, behanet e mangësitë e tjetrit.
Ky humor sikur e ka një grimasë ligësie sepse, përderisa veten tonë e nxjerr si epitomë përkryeshmërie, tjetrin e bën tabelë qitje për çdo lloj tallje.
Edhe Aristoteli e pleqëroi tutje teorinë e superioritetit në humor, dhe, përveç keqdashjes, ai pikasi edhe eutrapelia-n (εὐτραπελία), domethënë humorin e zgjuar që ngrihet mbi provincllëkun (ἀγροικία) dhe kokëtrashësinë (βωμολοχία).
Nga filozofi në filozof, formulimi më i mirë i teorisë së superioritetit do të gjuhësohej nga Thomas Hobbesi: “E qeshura është veçse lavdia e papritur që vjen duke e pandehur njëfarë eminence tek vetja jonë teksa krahasohemi me behanet e të tjerëve, apo ato tonat që i kishim dikur”
Edhe ky që është shërbyer prej paslufte si humor, për të ndukur andej-e-këndej gajasje e Ha ha ha popullore, bie në këtë klasifikim.
Ky surrogat humori ka qenë i përciptë dhe pa eutrapelia-n aristoteliane.
Për pjesën më të madhe të kohës ishte humor agroikia e bomolokhia që gjendjet komikale i ka stimuluar vetëm me përqeshje e impersonime të folmesh në Kosovë.
Një pjesë e madhe e asaj që u shit si humor nga ‘Stupcat’ ka qenë një shenjëstrim i gjithçkaje të Drenicës.
Ku ishte faji i Drenicës këtu?
Paj, ajo qëlloi të ishte referenca gjeografike e prejardhjes së pjesës më të madhe të atyre që e themeluan dhe e jetëzuan UÇK-në dhe përpjekjen e saj.
Komarani i stërasfaltuar (meqë asfalti konsiderohej alamet resursi në Kosovë!), drenicakë në poste ministrash a funksionarësh e komandantë të vetëshpallur ishin disa nga imazheritë e këtij humori nga i cili përftohej bullizim kulturor më fort sesa edukim që vjen dorëpërdore me dëfrimin.
Ky humor shërbehej me forma të tejstereotipizuara që gjendeshin të gatshme në tezgat e grupeve të caktuara politike që e kishin tmerr fuqizimin e një grupi tjetër.
Edhe ky tjetri me ‘Logjikonominë’ është veçse një kallam tjetër në moçalin e njejtë kulturor.
Ky nuk e pati fatin e njejtë me atë të ‘Stupcave’ mu për shkak se grupet e mënjanuara dikur sot janë në pushtet dhe çdo parodizim, sado i trashë, përjetohet si sulm në sedrën e një audience bukur të gjerë.
Testi i lirisë dhe kreativitetit në forma artistike, si komedia e humori i hollë, është fare i lehtë; ai matet me guximin ose mosguximin për të humorizuar të gjithë dhe njësoj.
Ja një shembull: treshja Granit Uka, Agan Asllani dhe Alban Rexhaj janë islamistë dhe salla e mbështetësve të tyre mbushet më së shumti nga ajo llokmë shoqërore që po tejfetarizohet nga dita në ditë.
Është si pritja e një pike shiu në Sahara nëse trioja në fjalë do të marrë ndonjëherë guximin për të parodizuar, qoftë edhe me mimikë, hoxhallarë e imamë harrakatë që janë pokaq të denjë e meritorë për t’u humorizuar si politikanët.
Ndonjë studiues i ditëve tona, si Jonathan Sandling, vë re sesi e qeshura, qeshësit e të qeshurit janë të lidhura me dinamika hierarkike. Sa e saktë!
Ai që e tall bythën me tjetrin është një i fortë socialisht me dikë që është i dobët socialisht.
Mjerimi i humorit të tillë është skadenca e tij dhe paaftësia e tij për t’u universalizuar përtej një konteksti së tejmi provincial.
Po, patjetër që çdo humor jeton me një kontekst specifik, njësoj sikur edhe marrëdhënia brendafamiljare ose e një rrethi të ngushtë miqsh shërbehet me një kod të njejtë humori.
Ato që janë qesharake për dikë e për disa vetë nuk janë të tilla për të tjerë.
Kushdo që e ka një formim minimal nga klasikët e lashtësisë, rasti në vijim është tejet interesant.
Kur aktori athinas i tragjedive Hegeloku po e recitonte një frazë nga një tragjedi e Euripidit, një gabim në shqiptim e bëri gaz para audiencës.
Në vend se ta shqiptonte γαλήν’ ὁρῶ (galén’ horô), që ka kuptimin “Shoh detin e qetë”, ku galen
duhej të shqiptohej me theks të mprehtë në zanoren e mbramë, ai e tha γαλῆν ὁρῶ (galên horô) me theks të harkuar që i jepte kuptimin “Shoh një bukël”.
Kjo situatë pahiri qesharake është e pakuptueshme edhe pas këtij shpjegimi, por mjafton vetëm ideja.
Ato gjëra me të cilat shkriheshin së qeshuri athinasit e shekullit të 4-të, ishin të tilla që kuptoheshin vetëm brenda nënqiellit kulturor athinas dhe jo në anë të tjera të botës helene.
Thënë përmbylltazi, një nivel i kotë humori – qoftë dikur nga treshja e ‘Stupcave’, qoftë tani nga treshja e ‘Logjikonomisë’ – nuk ia del të bëjë as për së afërmi disidencë artistike edhe kur e rren veten se po e bën.
Me humor të tillë – provincial e kokëtrashë – një regjim si ky i ahmakëve të VV-së vetëm sa e përjetëson veten me aso situata ku njerëzia e shkatërron çdo fibër kohezioni shoqëror duke u përleshur me stereotipe.
Edhe kur ‘Stupcat’ demek urbanë përdornin e armëzonin stereotipe të njerëzve periferikë, edhe kur ‘Logjikonomia’ demek periferike përdor e armëzon stereotipe të njerëzve urbanë, ata nuk i sajonin këto nga hiçi.
Stereotipet gjithmonë janë dhe ato e shkruajnë vetëveten përmes riprodhimit të sjelljeve të caktuara.
Por, pyetja që të ngacmon këtu është nëse humori vërtet i zgjuar e satira politike duhet t’i marrë të gatshme këto stereotipe apo duhet t’i shkërmoqë ato përmes mënyrave kreative?
A ekzistojnë sot soje militantësh e fanatikësh që shkumëzojnë e dalldisen veçmas për një politikan kulti e për një parti okulti?
Po, sigurisht!
Edhe në rrugë e sipër për në pushtet, edhe kur erdhi tamam në pushtet, VV-ja i shfuqizoi një minimum rregullash të cilat shërbenin si njëfarë ndalese kundër teprimeve.
E fshehta kryesore e kryedemagogut të saj ishte ajo që dikur e thoshte Karl Krausi: “ta bëjë veten budalla baraz me audiencën e vet ashtu që njerëzit të besojnë se janë të zgjuar sa ai”
Kërcime e dalldisje gati karnale për politikanë ka pasur që nga paslufta, por ato janë si thërrmiqe kur krahasohen me nivelin e pabesueshëm të dalldisë së njerëzve për Kurtin: tatuazhe në trup me fytyrën e tij, fotografi të surratit të tij në vetura, kërcime nga urat, festime të shfrenuara, prirje për dhunë, predispozim për të shnjerëzuar këdo që është anti-Albin.
E, atëherë çfarë ka mangut ‘Logjikonomia’?
Stereotipet nuk i përshkon anë-e-përtej me ato që në teoritë e humorit gjuhësohen si punch lines dhe jab lines, pa e ndërfutur as atë që është ajthi i humorit, mospërputhja (incongruity).
Kështu, stereotipet vetëm shpërfaqen me anë të imitimeve të lira, dhe duke qenë pa mbushjen e nevojshme (punch lines dhe jab lines), madje shpesh edhe me narrativë të dobët, këto pjesë humoristike vjetërohen brenda muajit, e lëre më brenda vitit.
Me fjalë të tjera, hajgare që nuk i bëjnë zarar regjimit albinkurtist sepse nuk provokojnë siç duhet të provokojnë.
Kaq për sot!