Juratoviq kishte të drejtë: Vuçiq e Kurti e ndihmojnë njëri-tjetrin - NACIONALE

Juratoviq kishte të drejtë: Vuçiq e Kurti e ndihmojnë njëri-tjetrin

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Sotpërsot, Kosova po dergjet në numërimin e votave, një proces që duket si i pambarimtë. Në të njëjtën kohë, kryeministri në detyrë po iu bishtnon ftesave të Prokurorisë Speciale. Njashtu, të fortit e partisë së tij po ushtrojnë trysni në qendrat e numërimit të votave, dikush po përkujdeset për ta stisur imazhin e tij. Me rastin e kaosit në Kuvendin e Serbisë, i shkaktuar prej opozitës së atjeshme, eksponetët e pushtetit të Vuçiqit kanë thënë se gjoja gjithçka po bëhet sipas recetës së Kurtit. Megjithëse deklarime të tilla u leverdisin njerëzve të Vetëvendosjes, një rast si ky na kujton pohimin jo fort të moçëm të deputetit gjerman Josip Juratoviq. Ai kishte thënë se Kurti e Vuçiqi janë “partnerë idealë” që me veprimet e deklarimet e tyre e ndihmojnë njëri-tjetrin.

Col Mehmeti

Dy shtete mund të jenë në pozicione sertësisht kundërshtare, por kjo nuk e zvogëlon hapësirën që njëri prej tyre ta fuqizojë një grup brenda palës kundërshtare.

Në studimet për sigurinë dhe mediet, një dukuri e tillë gjen shpjegim në një varg nocionesh kuptimisht të njejta si ‘konvergjenca narrative’ (narrative convergence), ‘amplifikimi strategjik’ (strategic amplification) apo edhe ‘përputhja armiqësore e interesave’ (adversarial alignment of interests).

Shembulli më i stërcituar në këtë drejtim është strategjia e Rusisë e cila nëpërmjet mediave të saj shpeshiI amplifikon narrativat sa nga e majta e skajme, po aq nga e djathta dhe grupimet e tjera me qëndrime antiperëndimore.

Ashtu që ta minojë konsensusin politik apo ta ashpërsojë polarizimin e brendshëm shoqëror, Moska vazhdimisht përkrah lëvizje të majta e të djathta në vendet perëndimore.

Në raste të këtilla, shteti rival mund të armëzojë (weaponize) kriticizmin e brendshëm në shtetin kundërshtar, edhe sikur të ketë një mal mospajtimesh me ideologjinë e atij kriticizmi.

Deputeti gjerman që parlajmëroi


Diçka e tillë sikur ishte paralajmëruar në vjeshtë të vitit të kaluar nga deputeti i Bundestagut gjerman, Josip Juratoviq.

Pavarësisht se dikur ishte mbështetës entuziast i Vetëvendosjes, ai nuk ngurroi t’i vinte shenjat e barazimit mes Kurtit në Kosovë dhe Vuçiqit në Serbi.

“Sipas mendimit tim, Kurti dhe Vuçiqi janë partnerë idealë kur vjen puna për Kosovën. Ata kanë nevojë për shoqishojn. Mbase kjo është paksa e ashpër, por ne vetëm duhet t’i shohim veprimet e reagimet e tyre. Ata ia dalin për merak”, kishte thënë Juratoviq në një bisedë për mediumin ‘nova.rs’.

Imazhbërja: pushteti i Vuçiqit trillon skenare

Edhe ngjarjet e sotme në Serbi duket se japin një shembull praktik të konsideratave të mësipërme.

Si vëng shërbeu batërdia në Kuvendin e Serbisë ku në rend dite ishte kërkesa për shkarkimin e kryekuvendares, Ana Bërnabiq.

Hedhja e bombave tymuese dhe vezëve andej-e-këndej, përfshirë edhe lëndimin e një deputeteje, përftuan një skenë të dhunshme parlamentare.

Eksponentët e pushtetit aktual në Serbi nuk ia huqën dakikun për të hedhur akuzën se opozita serbe gjoja përkrahet nga qeveria e Albin Kurtit.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq ka thënë se opozita serbe po u kthehet metodave që “aleati i tyre dhe personi i njejtë ideologjik, Albin Kurti, i ka përdorur ndër vite në Prishtinë”.

“Recetë e Kurtit”

Këtij teli i ka mëshuar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, i cili ka deklaruar se Kuvendi i Serbisë, duke ndjekur recetën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ka shkaktuar kaos.

Në një afishim në platformën sociale ‘X’, ai ka shkruar se tani është e qartë pse Kurti e “mbështeti grushtshtetin kundër Serbisë”.

“Sipas recetes së Albin Kurtit, opozita e dhunshme në Beograd ka krijuar kaos në Ansamblenë Kombëtare të Serbisë! Është e qartë pse Kurti ka mbështetur që prej fillimit sulmin në Serbi. Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij në Beograd nuk do ta mposhtin kurrë Serbinë”, ka shkruar Petkoviq.

Jevtiq: “Tymi ishte kuq dhe zi”

Këtyre deklarimeve ua ka mbajtur ison edhe kryetari i Shtërpces nga radhët e Listës Serbe, Dalibor Jevtiq.

Në një shkrim në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ai ka shkruar se Kurti po e shijon opozitën në Beograd sepse ajo po përdor të njëjtat metoda që i ka përdorur vetë ai.

“Fakti se dhuna e sotme në Kuvendin e Serbisë u krye sipas recetes së Kurtit me bomba me tym kuq-e-zi flet shumë për dëshirën e sëmurë të dikujt që nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga qytetarët për të ardhur në pushtet me forcë duke përdorur metoda që janë të njohura për ne serbët e Kosovës”, ka shkruar Jevtiq.

Ndërkohë, Kurti ishte duke ikur…

Po cila ishte agjenda e sotme e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti?

Për sot, ai qysh në mëngjes do të duhej të ishte në zyrat e Prokurorisë Speciale të Kosovës e cila e ka ftuar atë për të qenë dëshmitar në rastin për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Edhe sot si herave të tjera, Kurti ka refuzuar të paraqitet në Prokurori, madje ai ka zgjedhur që të marrë pjesë në hedhjen e gurthemelit të një çerdhe në Gjilan.

Nga atje, kryeministri në detyrë ka reshur një batare verbale në kurriz të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

“Kurrë Prokuroria nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, lirinë po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë, e jo krimin e korrupsionin”, ka thënë Kurti që i shmanget ligjit.

Edhe sot, ndërkohë, ka vazhduar numërimi i votave të diasporës në Qendrën për Numërim, duke e shtuar edhe një ditë zgjatje të këtij procesi maratonik.

Sado që propaganda e pushtetit të Vuçiqit e bën Kurtin ‘supermen’ që ka aftësi ndikimi edhe në politikën serbe, energjitë e qeverisë në detyrë në Kosovë janë të përqendruara në kërcënime e trysni në Qendrën për Numërimin e Votave.

Lajme të ngjashme