“Jua thej kamtë”: Agim Ademi akuzohet publikisht se i kërcënoi Zhegrovën, Muriqin dhe Muslijën
Skandalet në lidhje me menaxhimin e Kombëtares së Kosovës në futboll nuk kanë të ndalur. Pas përjashtimit nga grumbullimi të yjeve si Edon Zhegrova, Aro Muriq dhe Florent Muslija, tash dy personalitete publikisht e kanë denoncuar Agim Ademin, kryetar i FFK-së. Gazetari i njohur Arlind Sadiku dhe analisti Ramiz Shala e kanë akuzuar Ademin për kërcënim ndaj tre futbollistëve të përjashtuar nga FFK-ja. Çka po ndodh?
Dje gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Dueli Sportiv”, Shala bëri një denoncim publik, duke thënë se Ademi ka kërcënuar tre futbollistët e përjashtuar. Sipas Shalës, Agemi ka kërcënuar Zhegrovën, Muriqin dhe Muslijen se do “tua shkatërroj karrierën”, “do tua thyej këmbët”.
“Para vendimit, Agimi i ka thirr të tre djemtë dhe po citoj me fjalë “Kam me iu shkatërru karrierën, ja u prishi fytyrën, këmbët bre ja u thej…Nuk ka marrë vendim Foda, përveç Agim Ademit. Nuk duhet ta mashtrojmë opinionin, sepse ata djem janë lojtarë të Kosovës. Na i njohim, edhe nëse kanë gabuar që nuk e besoj, edhe nëse dalin prej Agim Ademit e teposhtë edhe në kanagjegje janë shku” – tha mbrëmë Shala, ndër tjera.
Të njëjtën gjë sot e ritheksoi Sadiku, drejtor i sportit në “Artmotion” dhe njëri nga gazetarët më të ndjekur të Kosovës. Këtë kërcënim, Sadiku e ka quajtur si “skandaloze”.
“Skandaloze Njëri nga futbollistët e përjashtuar, në kushte anonimiteti, pranoi se Agim Ademi i ka kërcënuar duke iu thënë “jau thej komtë, jau prishi karrierën”!” – ka shkruar Sadiku në profilin e tij në Facebook.
Duke komentuar denoncimin publik të Sadikut, gazetari Berat Buzhala ka kërkuar përfshirjen e prokurorisë në lidhje me dyshimt për kërcënime ndaj Ademit.
“Prokuroria duhet me i thirre tre lojtaret e denuar, e me i pyet. Agim Ademi eshte recidivist ne kete drejtim. Agim Ademi eshte bullizues. Nese ai i ka kercenu lojtaret keshtu, atehere cka duhet me prite tjeter? Me jau thy nime kambet?” – ka shkruar Buzhala.
Ndryshe mbrëmë Shala tha se nuk ka dëgjuar që të përjashtohet një sportist, “përpos në Serbi”.
“Unë i kam faktet e mia, nuk flas qysh ka qejf dikush. A i ke dëgjuar tu thanë për rregullore, cilën rregullore? Kush e ka hartuar? Cili nën thotë se duhet të përjashtohet kur të del dikush…Kemi të bëjmë me një njeri që ka probleme psikike. Nëse ti pa kanë i çmendur, nuk i thu lojtarit kryesor, largohu se ta prishi fytyrën, karrierën dhe t’i thej këmbët…Nuk kam dëgju që një kryetar federate me e përjashtu një sportist, përpos në Serbi, nuk kam dëgjuar asnjë tjetër. Federata ka Komision Disiplinor, i cili është përgjegjës për secilin anëtar të Federatës” – ka thënë Shala.
Gazeta Nacionale ka dërguar email në adresë të FFK-së në lidhje me këto akuza publike.