Joseph i ashpër me Blinken-in, i kërkon “riekzaminim urgjent të qasjes” ndaj Kosovës, Kurtin e quan “ndihmues të dhunës”
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, “po krijon krizë në Kosovë”, ka shkruar profesori i mirënjohur amerikan në John Hopkins University, Edward Joseph, në një artikull të botuar ditëve të fundit në “Foreign Policy” ku shtjellon disa prej problemeve kyçe që kanë çuar deri në tensionet e mëdha në pjesën veriore të vendit. Joseph kritikon ashpër qasjen “e butë” të ShBA’së ndaj Serbisë, por edhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nuk e kursen së çortuari për “veprime të pamenda” me njësi speciale si dhe shton që “me shpërfilljen e tij ka inatosur ShBA-në...ka alienuar popullatën serbe të Kosovës dhe ia ka dhënë një të shtyrë Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një kohë kur ky autokrat përballet me protesta të papara”.
Pjesën më të madhe të shkrimit të tij, Joseph ia kushton administratës së Biden për qasjen e tyre, siç e quan ai, të rreptë ndaj Kosovës dhe të butë ndaj Serbisë. E qysh në fillim, ai e nis duke e krahasuar çështjen e autonomisë për serbët e Kosovës me atë të rajoneve të banuara me rusë në Ukrainë.
“Nëse dikush mund të kuptojë zmbrapsjen e shëmtuar dhe të panevojshme të ShBA’së me Kosovën, ai është Volodymyr Zelensky. Kërkojini presidentit ukrainas që t’u jep autonomi rusëve etnikë, dhe Zelensky menjëherë do t’ua shtrojë tre pyetje: a do ta pranojnë rusisht-folësit që po jetojnë në Ukrainë, e jo në Rusi? A do ta njohë Rusia integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës? Dhe a do të na lejojë përfundimisht kjo dhënie e autonomisë për rusët që ne të anëtarësohemi në NATO?”.
Joseph thotë se ShBA dhe BE “nuk po munden t’u përgjigjen këtyre tri pyetje të njëjta” në rastin e Kosovës dhe Serbisë, teksa vlerëson se Perëndimi, ndryshe nga Zelensky, dhe në rastin e Kosovës, “nuk po e shohin çështjen e autonomisë (Asociacionit) strategjikisht”; duke shtuar madje edhe se, në këtë, “zyrtarët e administratës Biden janë po aq dogmatikë sa kryeministri Kurti që ua ka zgjuar mllefin”.
Derisa në njërën anë, për tensionimit e situatës në veri Joseph e fajëson Kurtin dhe shkruan se “dëshira e Uashingtonit për të goditur me sanksione shtesë Kosovën është e kuptueshme”, ai në anën tjetër, thotë se është edhe “gabim serioz”. Për Kurtin, Josep shton se “nuk ka dyshim që ai, duke injoruar thirrjet për koordinim të qartë me ShBA’në dhe BE’në, është ndihmës i dhunës”.
“Absurditeti i sanksionimit të një aleati demokratik në Prishtinë, ndërkohë që përshëndetet një autokrat manipulues, pro-rus si një ‘partner më i mirë dhe më i mirë [SHBA-së]’, siç tha ambasadori i SHBA-së në Serbi Christopher Hill në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, duhet ta bëjë të pauzojë ca Sekretarin e Shtetit Antony Blinken”, shkruan Joseph.
Këtu, profesori amerikan, Edward Joseph, vlerëson se Blinken duhet “urgjentisht të riekzaminojë qasjen e administratës së tij” dhe jo të të lejojë “që politikat ndaj Kosovës të jenë të udhëzuara nga frustrimi...dhe iluzioni të udhëzojë politikat ndaj Serbisë”.
“Me bindje gati se fetare, zyrtarët amerikanë mbështesin autonominë serbe si graalin e shenjtë për mbylljen e çështjes së Kosovës. Në realitet, dhënia e asociacionit për serbët e Kosovës – pa avancuar njohjen e Kosovës nga serbët dhe nga aleanca e plotë e NATO-s – është një propozim i fryrë”
“Nuk është rastësi që Rusia gjithashtu përkrah skemën e autonomisë serbe, në të njëjtën gjuhë ungjillizuese si zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së. ‘Themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe do të garantonte të drejtat, sigurinë dhe besimin në të ardhmen (për serbët në Kosovë),’ deklaroi ambasadori i vjetër rus në Serbi Alexander Botsan-Kharchenko për agjencinë e lajmeve TASS në fund të muajit të kaluar”, shkruan Joseph.
“Edhe nëse Prishtina i përmbush të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë themelimin e Asociacionit, Kosova nuk ka asnjë garanci për kërkesat e saj thelbësore strategjike. Serbët e Kosovës mund të ruajnë besnikërinë e tyre ndaj Beogradit dhe të sfidojnë Prishtinën. Serbia ende mund ta refuzojë njohjen de jure të Kosovës. Dhe, mbi të gjitha, Kosova mund të mbetet jashtë NATO-s – garancia unike e sovranitetit dhe integritetit territorial të Prishtinës”.
Joseph shton se është krejtësisht e gabuar që ShBA të pretendojë se ka “partnerë në Beograd” dhe “Nemesis në Prishtinë”.
“Pavarësisht agjendës së tij të furishme globale, Blinken duhet të ushtrojë personalisht kontrollin mbi politikën e SHBA-së për Ballkanin. Si fillim, administrata e Bidenit duhet të disiplinojë ambasadorët e saj në rajon, duke kufizuar ekskursionet e Kodrës në politikën e një vendi, Kosovës, që nuk i përket më Serbisë. Ndarjet midis ambasadave të SHBA-së në Beograd dhe Prishtinë kanë tërhequr vëmendjen e partnerëve kryesorë të BE-së dhe kanë minuar autoritetin e Blinken”.