“Jo me mu kështu”: Përplasja Hoti-Murati dhe pyetjet me spec të Visar Korenicës për drejtorin e ATK-së - NACIONALE

“Jo me mu kështu”: Përplasja Hoti-Murati dhe pyetjet me spec të Visar Korenicës për drejtorin e ATK-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Është zhvilluar ditën e sotme mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Ashtu edhe siç pritej, një debat i ashpër është zhvilluar ndërmjet ministrit Hekuran Murati, e deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti.

Krejt debati nisi lidhur me menaxhimin e borxhit publik, për të cilin Hoti tha se qeveria nuk ka pasur asnjë sukses.

“Lej ironitë. Politikën e lenë. Po flasim për çështje shumë konkrete. Unë po të pyes për borxhin e jashtëm që Kosova e ka obligim. Puna jote në borxhin publik shenjë s’ia ka lanë këtij vendi, kurgjo s’ke bo. 17% e ke gjete. Borxhin e brendshëm e ke pas 29 muaj, 30.47 tash. Për çka po flasim. Mirë është mirëmbajt situata qysh ka qenë, por cilat janë strategjitë rreth borxhit publik, me rrit huazimin e jashtëm”, tha Hoti fillimisht, raporton Nacionale.

“Duhet të jemi korrekt kur e shohim njëri-tjetrin në sy, jo me iu thënë mediave ta bëj një pyetje, nuk jemi duke u shtyr me poshtëru njëri-tjetrin. Kam qenë 3 vjet ministër, ti ke qenë bashkëpunëtor që je marrë me borxhin publik”, deklaroi ai.

Përgjigjen ia ktheu ministri i Financave, Murati, duke ironizuar me faktin që Hoti ka qenë edhe vet ministër,.

“Po çuditna ti ke qenë ministër i Financave. Ka rënie në vazhdimësi të këtij indikatori, në vitet paraprake ka pasur ngritje. Ky është fakt këto janë shifrat, s’ka të bëj politikë e as asgjë tjetër. Sa i përket shifrave absolute, mund të krahasojmë edhe me vitet e tjera, 2019 që po thuhet ka qenë vit para pandemisë ka qenë 17.6% tash është 17.2%. Edhe me vitin para pandemisë ka rënie të borxhit publik”, tha Murati.

“Ministri mi konfirmoi të gjitha ato që thashë. Në të gjitha aspektet nuk është përmirësuar performanca dhe menaxhimi me borxhin publik. Kosova ende nuk ka dalë në tregje të hapura për të huazuar. Mos me i ligjëru njëri-tjetrit, tregoj njerëzve pse nuk bëhet vlerësimi kreditor. A je tu e ditë çka je tu thanë? Normat e interesit janë më të larta për shkak se nuk ka vlerësim kreditor. Jo me mu kështu”, ia kthe Hoti më tutje.

Deputeti i LDK-së ishte i zëshëm edhe në faktin që pse Qeveria e ka lejuar dinarin të qarkullojë për 3 vjet sa ka qenë në detyrë.

“2021, 2022, 2023, pse nuk është nalur? Sa kanë hy? Pse e murët tash këtë vendim? Më herët është lejuar me hy? Gjatë mandatit tuaj pse nuk keni marrë veprime më herët? Rregullorja asnjëherë s’ka qenë pengesë. Kur mundohesh me ia shit opinionit se po i merr veprimet e caktuara tash, këto nuk shkojnë. Nuk ka lidhje kjo punë me guvernatorin”, tha ai.

Një debat i ashpër u zhvillua ndërmjet drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezi, me deputetin e VV-së, Visar Korenica. Ky i fundit pati disa pyetje për drejtorin e ATK-së, të cilat u duk se nuk i pëlqyen.

“Jeni para deputetëve, kujdes si silleni. Po doni me thënë që vendimi i Këshillit Xivil ka qenë i padrejtë? Ju ke thanë njerëve lëshoni pozitat se du me udhëheq institucionin me njerëzit e mi. Paligjshëm i keni shkarku njerëzit, i keni degradu. Një familjar tuajin nga pozita e shoferit e keni bërë udhëheqës të divizionit. Atmosfera e punës që është kriju prej ardhjes së menaxhmentit të ri është e padurueshme”, tha deputeti Korenica.

“Nuk di a është e drejtë me u leshu me emra, unë lëshohem edhe me emra e mbiemra. Njihemi moti bashkë nga pozitat që kemi mbajtur. Pyetjet po derivojnë kah po vijnë, dhe kah kanë ardhur. Kur thoni që i ke shkarkuar zyrtarët që kanë vlerësime të larta, mendoj që duhet me iu referu diçkahit. Nuk kam kurrfarë stresi, për çdo gjë flasim”, ia ktheu Murtezi.

Në përplasje ndërhyu edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Nuk më pëlqeu qasja juaj që e thatë se duhet të ketë shkollim për ta ditur a ka pasur inflacion. Nuk jeni këtu ligjërues, ne iu respektojmë për drejtor. Por duhet të keni konsideratë ndaj atyre qëkanë qenë ministra, ish-kryeministër, profesionistë”, tha Lekaj.

Seana gjithashtu ka vazhduar me përplasje.

Lajme të ngjashme