Jep dorëheqje Drejtoresha e Arsimit në Viti - NACIONALE

Jep dorëheqje Drejtoresha e Arsimit në Viti

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë, Fatbardha Emini ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, nën arsyen se arsimi nuk është prioritet i këtij vendi.

Lajmin për dorëheqje Emini e ka bërë publik përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

“Më lejoni të ju njoftoj për dorëheqjen time si Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë. Gjatë vitit 2022 së bashku me stafin e DKA-së e Drejtoret e shkollave, u angazhuam maksimalisht që të ofrojmë kushte më të mira, e mbështetje për nxënësit dhe mësimdhënësit, për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, për rend dhe siguri. Për kundër kësaj, ishte një vit me shumë kërkesa e me përplot sfida, pothuajse si çdo Komunë në Kosovë. Për fat të keq ende nuk është arsimi prioritet i këtij vendi.” -ka shkruar Emini.

Ajo thotë se për zgjidhjen e problemeve do të duhet një përkushtim më i madh i politikës qendrore dhe lokale përballë kërkesave dhe problemeve në arsim.

Një nga sfidat që po e përcjell arsimin në Komunën e Vitisë, e që është i pa arsyeshëm karshi dëmit që po shkakton tek nxënësit ku edhe në vitin 2023, mësimi do të mbahet me 4 ndërrime në Shfmu ” Halil Alidema” në Pozheran. Për kundër shumë kërkesave në drejtim të Ministrisë ende zvarritjet po vazhdojnë.”- tha ajo.

Emini shtoi se e ndjen obligim moral që të mos vazhdoj në një ambient ku, sipas saj, arsimi nuk trajtohet me prioritet.

“E ndjej, të paktën obligim moral, që të mos vazhdoj në një ambient të tillë ku arsimi nuk trajtohet me prioritet. Por, sukseset në sektorin e arsimit e në veçanti puna e mësimdhënësve dhe rezultati i nxënësve do të jenë ato që do të vazhdoj t’i përcjell me kënaqësi.” - shkroi tutje ajo.

Lajme të ngjashme