"Jemi një": Çka i thanë ShBA-ja e BE-ja Kurtit pas kritikave ndaj Lajçakut - NACIONALE

"Jemi një": Çka i thanë ShBA-ja e BE-ja Kurtit pas kritikave ndaj Lajçakut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar emisarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak se është bërë palë kundër Kosovës në procesin e dialogut dhe se bashkë më Vuçiqin po pengojnë zbatimin e marrëveshjes në plotni. Një gjë e tillë është demantuar sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. ShBA dhe BE kanë treguar mbeshtetje të plotë për ndërmjetësuesin evropian. Çfarë ndodhi?

Në konferencën e djeshme për media, kryeministri Kurti ka kritikuar dhe akuzuar Lajçakun, duke thënë se ai po ia mban anën e Serbisë.

Kurti shtoi se emisari evropian bashkë me përfaqësuesin serb po e godasin keq shtetin e Kosovës.

Si i tillë Lajçaku e Vuçiqi duket sikur të jenë koordinuar me një qëllim të vetëm, të bëjnë të pamundur një skenar ku marrëveshja zbatohet në plotni. Dhe t’i japin jetë një skenari alternativ ku vetëm gjysma e marrëveshjes; e gjysma tjetër që përbëjnë pjesën më të civilizuar fqinjësore dhe evropiane, të mos zbatohet asnjëherë”, tha kryeministri Kurti.

Kanë shkuar shumë larg në goditjen e Kosovës”, tha ai.

Nuk mund të shtrembërohet gjykimi im duke hedhur hi syve. Ose e zbatojmë gjithë marrëveshjen, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur”, shtoi Kurti.

“Jemi një”

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, është përgjigjur për deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Stano për Klan Kosovën, ka thënë se mungesa e progresit në dialog nuk qëndron te Borrelli dhe Lajçaku.

BE-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë të angazhuar në mbështetjen e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja e kanë bërë shumë të qartë në mënyrë të përsëritur se ku e shohin problemin kryesor për mungesën e progresit në Dialog, dhe definitivisht nuk është Borrelli ose Lajçak”, ka thënë Stano.

Tutje, ai ka potencuar mbeshtetjen e shteteve anëtare të BE-së për Borrellin dhe Lajçakun.

Shtetet anëtare të BE-së – 27 prej tyre – e kanë përsëritur qartë se mbështesin plotësisht Borrellin dhe Lajçakun në përpjekjet e tyre për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të normalizojnë marrëdhëniet e tyre”, shtoi tutje.

Ai njoftoi se kjo mbështetje u afirmua edhe sot në mëngjes nga shtetet anëtare të BE-së.

Së fundmi 27 shtetet anëtare të BE-së shprehën këtë mbështetje të plotë këtë mëngjes dhe u diskutua edhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të 27 vendeve të BE-së në New York mbrëmë”.

Stano, kishte komentuar edhe me herët kritikat e Kurtit për Lajçakun, duke i cilësuar si akuza të pabaza.

Sa i përket deklaratave të Kurtit, ne nuk i komentojmë ato, sidomos kur përmbajnë pretendime të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, sikur edhe për përfaqësuesin e lartë. Ata plotësisht mbështesin përpjekjet e tyre që Kosovës dhe Serbisë t’iu ndihmohet të arrijnë në fazën kur të normalizojnë raportet mes tyre.” – ka thënë ai.

E, disa orë pasi që kryeministri Kurti drejtoi kritika të ashpra për emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ky i fundit ka darkuar me zyrtarë të lartë amerikanë.

Lajçak ka njoftuar se ka darkuar me Derek Chollet dhe Escobar në New York.

Ai kishte thënë se janë në të njëjtën linjë me amerikanët.

“Kishim darkë mes miqsh të mirë në Nju Jork me Derek Chollet dhe Gabriel Escobar. Gjithmonë është e dobishme të rikonfirmojmë se ne ndajmë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe jemi në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara”, ka shkruar Lajçak

Lajme të ngjashme