Java e ardhshme pa sanksione për Kosovën? – Bislimi: “Kam informacione”, Gërvalla: “Nuk kam pritje” - NACIONALE

Java e ardhshme pa sanksione për Kosovën? – Bislimi: “Kam informacione”, Gërvalla: “Nuk kam pritje”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

‘Na hiqni sanksionet’ vijonte kërkesa vitin e kaluar nga qeveria kosovare ndaj Bashkimit Evropian; derisa këta të fundit mediave ua kthenin se janë të mbyllur për pushime verore.

Por, se a do të shkojë BE edhe sivjet në pushime me sanksione në vend ndaj Kosovës mbetet të shihet deri në javën e ardhshme; tashmë veçse duke qenë i përfolur “zhbllokimi” dhe ajo që Zëvenedës Kryeministri, Besnik Bislimi ka “informacione” se mund të rekomandohet një gjë e tillë javën e ardhshme.

Sanksionet – të quajtura zbutësisht masa ndëshkuese – pritet të hiqen ose jo nga raporti që supozohet të jetë “në fazën finale të përpilimit” nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Bislimi – duke u thirrur në informacionet e tij – tha sot në Komisionin për Integrime Evropiane se raporti i Borrell ka qenë gati “qysh në prill” por se disa vende kanë qenë të interesuara ta shtyjnë dorëzimin e tij; dhe që, rrjedhimisht, masat të mbesen në vend.

Ka pasur hezitime të dërgohet [raporti] në komision, për shkak se, si duket, ka disa individë që kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat ta dëmtojnë Kosovën”, tha ai, pa shpjeguar.

Raporti është dashur të dorëzohet pardje, mirëpo një pjesë e Komisionit kanë kërkuar të shtyhej dhe besoj që do të dorëzohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme, përmbajta e raportit mesa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave”, theksoi Bislimi.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kishte bërë të ditur se çështja e mbylljes së disa institucioneve bankare serbe në veri me vendim të qeverisë kosovare do të kishte ndikim negativ në prospektin – supozivisht premtues – të heqjes së masave; dhe se vendimet në fjalë do të përfshiheshin në raport.

Radio Evropa e Lirë raportonte përmes burimeve diplomatike se ka vende – nga QUINT’i – që duan heqjen e masave, por jo heqjen e tërësishme të menjëhershme, “por, graduale”.

Qeveria e Kosovës pretendon se kanë përmbushur që moti kërkesat e artikuluara në deklaratën e 3 qershorit – ku edhe buronte paralajmërimi për vendosjen e masave. Më së fundi me mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës për shkuarjen drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore.

Në anën tjetër, Donika Gërvalla, Ministre e Jashtme, shprehet “aspak optimiste” me raportin në ardhje të Borrell-in, të cilin, hiç më larg se para disa dite, e quajti “jo parimor” në dritën e marrjes së këtij vendimi ose jo.

Nuk është se kam pritje të mëdha...Joparimor ka qenë qëndrimi i Borrellit në përgjithësi ndaj temave mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk është se kam pritje të larta në hapat e fundit që mund dhe duhet të ndërmerren".

"Ato masa kanë qenë objekt i një negocimi të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi me emisarin Miroslav Lajçakun në Bratislav...Jo vetëm që janë përmbushur ato pesë pika për të cilat janë kuptuar, por janë mbi përmbushur shumëfish, prandaj nuk e di çfarë të them”, ka thënë Gërvalla për “KosovaPress”.

Lajme të ngjashme