Java e dështimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe darka e Kurtit me Krasniqin
Javën që po e lëmë pas mund ta quajmë si “java e dështim”. Kosova dështoi të pranohet në Këshillin e Evropës. Ky dështim nxiti debat të jashtëzakonshëm në vend, me ç’rast u kritikua me të madhe Qeveria Kurti. Përveç kësaj ngjarje, gjatë javës nuk munguan as diskutimet për punën e zgjedhjet të cilat janë paralajmëruar se mund të mbahet në muajin qershor. Çka ndodhi?
Dështimi në KiE
Kosova ka dështuar të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Ky dështim erdhi pasi Qeveria e Kosovës nuk plotësoi kushtin që u vendos nga shtetet kryesore të BE-së.
Kushti ishte që Kosova të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit. Meqë ky draft nuk u dërgua, një ditë para fillimit të punimeve në Këshillin e Evropës, Kosova e bëri një hap.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dërgoi një letër në të cilën zotohej që Kosova do të përpilojë një statut të Asociacionit dhe të njëjtin do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese jo më larg se fundi i muajit maj.
“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres Gërvalla.
Kjo letër u pa si tallje me aleatët, teksa këta të fundit e kundërshtuan me të parën.
Gjithashtu, ky zotim u kundërshtua edhe nga Këshilli i Evropës, i cili të premtën, nuk futi Kosovën në agjendë.
Nga ana tjetër, kryediplomatja Gërvalla tha se me dështimin e Kosovës, nuk vlen as oferta e Qeverisë se Kosovës për hartimin e një drafti të ri për Asociacionin.
Kryediplomatja Donika-Gërvalla, po ashtu ka fajësuar disa aleate të Kosovës se kanë mbajtur anën e Serbisë.
Ndërkaq, partitë opozitare kanë vënë në përgjegjësi Qeverinë Kurti për këtë dështim.
Darka Kurti-Krasniqi
Gjatë kësaj jave, kryeministri, Albin Kurti pati një darkë me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Kurti ftoi edhe kryetarët e dy partive tjera opozitare (LDK dhe AAK) por ata nuk morën pjesë në këtë takim.
Kjo drakë gjatë gjithë javës është diskutuar pasi në të është folur edhe për datën e zgjedhjeve.
“Krahas kësaj, u diskutua edhe për aktualitetin politik, ecjen e Republikës së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, dhe për mundësitë për zgjedhjet e reja në të ardhmen e afërt, teksa Qeveria ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të saj.” – kanë thënë për darkën nga Qeveria Kurti.
Në anë tjetër, kryetari i PDK-së, pas takimit ka shkruar në Facebook, duke thënë se “zgjedhjet e parakohshme nuk janë më një dëshirë politike - por një domosdoshmëri nacionale. PDK është gati! I gjithë vendi është gati!”
Ky takim pati efekt pasi PDK-ja në seacën e Kuvendit votoi për marrëveshjet ndërkombëtare që ishin bllokuar që sa kohë.
Në anë tjetër, LDK-ja ka vazhduar me akuza ndaj PDK-së se ka bërë marrëveshjet me Kurtin dhe po kërkojnë që Kurti të japë dorëheqje tani zgjedhjet.
Ende nuk dihet se kur mund të mbahen zgjedhjet.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave pati edhe një takim në Bruksel për çështjen e dinarit, por që dështoi të arrihet një marrëveshje.