Letra e Gërvallës: Drafti i ri i Asociacionit do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit
Në letrën që Gërvalla ia ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, tregohet se Kosova është duke e përgatitur një draft të ri.
Aty bëhet e ditur se Kosova këtë draft do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
“Pas letrës së zotimit të datës 23 mars 2024 të nënshkruar nga lidershipi politik i Kosovës, përkatësisht presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, po ju shkruaj për t'ju informuar për hapat konkretë që po ndërmarrim në përputhje me angazhimet tona pas votimit për anëtarësim. Që nga 17 prilli 2024, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë dhe të prekshëm në drejtim të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të zbatimit të saj, duke përfshirë Asociacionin si një nga zotimet e pas-anëtarësimit”, thuhet në letër, duke shtuar institucionet e Kosovës janë duke punuar në zbatimin e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë të Brukselit.
“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres Gërvalla.
Sipas letrës, drafti do të jetë i ngjashëm me atë të propozuar nga Fondacioni Friedrich Ebert.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (në kuadër të obligimeve të parapara në nenet 7 dhe 10), të frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024”, shkruan më tej kryediplomatja kosovare.
Franca dhe Gjermania prej disa javësh i kanë kërkuar Kosovës që para mbledhjes se Komitetit të Ministrave të KiE-së, i cili do të mbahet më 16-17 maj të dërgon në Kushtetuese draftin e Asociacionit të cilin e ka pranuar me Marrëveshjen Bazike të Brukselit.
Javën e kaluar kryeministrin Albin Kurti para kabinetit qeveritar e ka pranuar se Kosova ka një kusht të ri për t`u anëtarësuar në Këshill të Evropës. Gjithashtu, ai ka bërë me dije se Kosova nuk do ta pranojë një kusht të tillë.
Për këtë arsye, në takimin që është mbajtur të martën, ambasadorët e vendeve anëtare të KiE-së nuk e kanë futur në agjendë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.