Dinari nuk gjen zgjidhje në Bruksel, periudha kalimtare e BQK-së u sos, çka tash?
“Zgjidhja e përkohshme por e qëndrueshme” siç qe frazuar nga Bashkimin Evropian për çështjen e dinarit, nuk u arrit as në të shtatit takim tetë orësh në Bruksel.
“Palët s’deshën kompromis”, thanë nga BE.
Megjithëse u tha se për disa gjëra të posaçme “palët kapërcyen dallime” – siç u tha, për krijimin e një entiteti biznesor (i.e bankar) – çështja ku ngeci ishte “shtrirja e përgjithshme e aktiviteteve” të këtij entiteti biznesor.
Kosova fajësoi Serbinë, Serbia Kosovën, BE-ja që të dyja; teksa njoftoi se takim tjetër për të njëjtën çështje do të ketë atëherë “kur palët të sinjalizojnë gatishmëri” që sot, sipas tyre, nuk kishte.

“Për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi pas mbylljes së takimit në Bruksel.
Bislimi madje shtoi se as ndërmjetësi Lajçak s’do të thërret takime të reja, përveç nëse do të ketë konstruktivitet për zgjidhje.
Homologu i tij Petar Petkovic, tha se shkoi me “gjashtë propozime të reja konstruktive...që Prishtina i refuzoi të gjitha”.
“Takimi i fundit i sotëm dëshmoi se palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje kompromisi për çështjet e mbetura të hapura. BE shpreh keqardhjen që sot nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje. BE vlerëson se nuk ka gatishmëri për të gjetur një marrëveshje kompromisi për të ecur para”, thanë në anën tjetër nga BE.
Periudha kalimtare e BQK-së për dinarin, e kryer
Banka Qendrore e Kosovës kishte dhënë tre muaj periudhë kalimtare për çështjen e dinarit, prej 1 shkurtit efektivisht dhe esencialisht të ndaluar si mjet i ligjshëm pagese.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kishte bërë thirrje “shtyllave të tjera të pushtetit” që në atë periudhë tre-mujshe të mos aplikoheshin dënime ndaj serbëve që shesin/blejnë në dinarë.
Por megjithatë në rrafshin faktik importi i dinarit është ndaluar, por jo edhe dinari si mjet pagese.
Anekënd veriut dhe në zonat të banuara me shumicë serbe edhe në jug, dinari dhe pagesa në atë valutë shkon sikur “bussiness as usual”.
Serbët udhëtojnë për matanë kufirit ku Serbia u ka instaluar bankomatë nga ku tërheqin cash-in.
Për më tepër, u bënë tre muajt kalimtarë, sot BQK nuk tregoi se çka bëhet me ata që vazhdojnë shit-blerjen si kaherë në dinarë.
Asnjë germë e vetme në komunikatën e sotme të BQK-së nuk flitet për dënime ndërsa asnjëherë nuk është bërë e ditur se mbi cilën bazë ligjore të mbështetet ndëshkueshmëria eventuale dhe konsekuente.
As kush i monitoron, as me çka sanksionohen, asgjë.
Në veri serbët deklarohen që s’kanë pasur kontrolle, inspektime, dënime, apo konfiskime të ndonjëfarë lloji nga autoritetet e Kosovës.
“Janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar” dhe “Janë licencuar tetë ( 8 ) degë/zyra të institucioneve financiare”, shkruan sot nga BQK-ja në një komunikatë ku supozohej të shpjegohej çka është në periudhën kalimtare tre muajshe.
Kurti ndërkaq sot, sërish, ishte i paqartë se çka tash. Dënimet?
“Banka Qendrore e Republikë së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese”, është shprehur Kurti të hënën për RTK-në.