Janjiq kritikon Borrellin e Lajçakun për sjellje arrogante, thotë se Beogradi s’ka interes për normalizim
Analisti politik serb, Dushan Janjiq, ka folur gjërë e gjatë rreth dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga ana e Bashkimit Evropian. Janjiq ka pasur fjalë të mira për marrëveshjen politike në mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka përmendur edhe sulmin e armatosur në Banjskë.
Duke folur për Danasin, Janjiq tha se marrëvesja në mes Kosovës dhe Serbisë ishte një draft i mirë. Tutje, Janjiq beson se kjo marrëveshje ishte disi si “Manifesti komunist”, “ku njohja de facto ose de jure, e dekoruar me gjëra të tjera, është vendosur të jetë rezultat i procesit”.
“Pikëpamjet e Forumit për Marrëdhëniet Etnike për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ishin një draft i mirë për shkrimin e planit franko-gjerman, që u mbështet edhe nga Amerika, për të cilën u pajtua edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në shkurt të vitit të kaluar, dhe ne jemi shumë të kënaqur me këtë përkundër gjithçka që ndodhi më vonë me Forumin dhe me mua” – tha ai.
Këtë dështim, Janjiq e ka lidhur me sjelljen arrogante të BE-së. Janjiq, që është themelues i Forumit për Marrëdhënie Etnike, ka vlerësuar se BE-ja dhe bashkëpunëtorët e tyre në Beograd nuk e ndjekin interesin e normalizimit.
“U bë një premtim për një të ardhme të ndritur. Diçka si Manifesti Komunist ku rezultati kryesor ishte, njohja de facto ose de jure, e zbukuruar me disa gjëra të tjera, është vendosur të jetë rezultat i procesit. Burokracia u përpoq shumë, për të justifikuar mandatet e saj, ta shpërdoronte atë ide kryesore. Në vend që të shmangnin të folurit për statusin, ata e bënë atë një rezultat të domosdoshëm. Si Karl Marksi dhe Engelsi te ‘Manifesti’, kur e vunë komunizmin si rezultat të domosdoshëm dhe ai dështoi. Këtë e them jo vetëm për shkak të Vuçiqit, por edhe për shkak të sjelljes absolutisht arrogante të Borrellit, Lajçakut dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Beograd dhe Bruksel, të cilët absolutisht nuk e ndjekin interesin e normalizimit. Idenë më të rëndesishme, që nuk duhet të debatojme nëse dicka njihet de facto apo de jure nga dikush dhe të mos hapim temën e statusit dhe njohjes, e ngatërruan me marreveshjen e Ohrit, respektivisht e lidhën në një nyjë” – ka theksuar Janjiq.
Duke folur për Borut Pahor, ish-president i Sllovenisë i përfoluar si pasardhës i Miroslav Lajçakut në dialog, Janjiq vlerësoi se janë edhe disa tema që duhet të diskutohen në tavolinën e dialogut.
“Mendoj se Borut Pahor ose skuadra rreth tij është në atë rrugë. Ka një gjë që ka hyrë në kapitullin 35 dhe për të cilën Serbia komunikon me Zyrën për anëtarësim në BE dhe jo me Kurtin. Tjetër çfarë ka mbetur për t’u diskutuar në dialog është qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe, trashëgimia kulturore dhe qëndrimi i të gjitha institucioneve. Kjo duhet të diskutohet në një mënyrë të re dhe brenda tryezës së rrumbullakët” – tha ai.
Janjiq ka përmendur edhe sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin kërkohet ndërkombëtarisht Milan Radoiçiqin, që është po ashtu i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe.
“Problemi është se si të dalim nga problemi i Banjskës, i cili ishte sulm ndaj rolit të NATO-s dhe KFOR-it me elementë të terrorizmit. Kjo kërkon që procesi i sigurisë të organizohet nga QUINT-i , ndërsa pjesa e sigurisë ushtarake ka të bëjë me anëtarësimin në NATO. Këto janë bisedimet që Serbia duhet t’i duhet ti bëjë” – ka shtuar ai.