Eksperti i ekonomisë: Ekonomia e Kosovës mbetet nën trendin para-pandemik të rritjes
Ekonomia e Kosovës vazhdon të përballet me sfidat e rikuperimit pas pandemisë COVID-19, duke mbetur ende nën trendin e rritjes para-pandemike. Edison Jakurti, ish-zëvendësministër në MEPTINS dhe doktorant i ekonomisë, në një analizë mbi ndikimin e pandemisë në ekonomitë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, tregoi se Kosova mbetet prapa Shqipërisë, Serbisë dhe Bonsje & Hercegovinës.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, të prezantuara nga zoti Jakurti, ekonomia e Kosovës deri në vitin 2023 rezulton se ende nuk është rimëkëmbur plotësisht nga pandemia.
Njohësi i ekonomisë ka shpjeguar se hendeku mes BPV-së aktuale dhe asaj që mund të ishte nëse rritja do të ndiqte ritmin 10-vjeçar para-pandemik është mbi -2 miliardë dollarë realë.
"Deri në vitin 2023, ku bëjnë pjesë tre ose më shumë vite nga hapja e ekonomisë, meqë shumë masa kanë filluar të largohen qysh në pjesën e dytë të 2020, ekonomia e Kosovës mbetet nën trendin para-pandemik. Thënë ndryshe, deri në vitin 2023, ekonomia e Kosovës nuk është rimëkëmbur nga pandemia. Prej vitit 2020 e tutje hendeku mes BPV të realizuar dhe një BPV që do ta ndiqte trendin para-pandemik është mbi -2 miliardë dollarë realë, 1.3 nga të cilët janë vetëm në periudhën post-pandemike 2021-2023." - ka thënë Jakurti.
