Izraeli hedh në erë shtëpinë e një sulmuesi palestinez tashmë të vrarë - NACIONALE

Izraeli hedh në erë shtëpinë e një sulmuesi palestinez tashmë të vrarë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat izraelite e shkatërruan të enjten shtëpinë e një burri palestinez që qëndronte prapa një sulmi vdekjeprurës në Bregun e pushtuar Perëndimor, përderisa tensionet dhe trazirat në rajon po rriten.

Ushtria tha se shkatërrimi i shtëpisë u bë, pasi një gjykatë izraelite i refuzoi ankesat për të mos e rrënuar ndërtesën. Shtëpia u shkatërruar përmes një shpërthimi të kontrolluar. Ajo ndodhej në qytetin Hebron, pikë e nxehtë e tensioneve mes palestinezëve e forcave izraelite.

Izraeli thotë se shkatërrimi i shtëpive bëhet me qëllim të parandalimit të sulmuesve të ardhshëm, por kritikët thonë se këto veprime përbëjnë ndëshkime kolektive kundër familjeve të sulmuesve dhe se vetëm i përkeqësojnë tensionet me palestinezët, raporton agjencia “Associated Press”.

Në incidentin me të shtëna fatale vitin e kaluar Muhammed Kamel al-Jabari hapi zjarr në hyrjen e një vendbanimi izraelit në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke vrarë një burrë izraelit dhe duke plagosur disa civilë para se një rojë ta qëllonte për vdekje.

Gati 50 palestinezë janë vrarë vetëm këtë vit, shenjë se luftimet janë shpeshtuar në javët e fundit, kur qeveria e re izraelite e së djathtës ekstreme ka ardhur në pushtet. Pushteti i ri ka premtuar se do të zbatojë politikë të ashpër kundër palestinezëve dhe tashmë ka bërë hapa për ta shtuar ndërtimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

Izraeli thotë se shumica e të vrarëve kanë qenë militantë. Megjithatë, në mesin e të vrarëve ka pasur edhe të rinj që po protestonin dhe njerëz të tjerë që nuk ishin të përfshirë në përleshje.

Rreth 30 persona u vranë gjatë sulmeve palestineze kundër izraelitëve vitin e kaluar dhe shtatë të tjerë në sulmin afër një sinagoge në Jerusalem muajin e kaluar.

Lajme të ngjashme